Në Paris ku po mbahen lojërat Olimpike, Kina fitoi medaljen e parë të artë në not dhe këtë e realizoi duke vendosur edhe rekord të ri. Heroi i vendit aziatik ishte Pan Zhanle, që triumfoi në garën e 100 metrave stil i lirë me kohën 46 sekonda e 4 të dhjetat, duke thyer me 4 të dhjetat primatin që mbante ai vetë.
Pas akuzave për doping nga Shtetet e Bashkuara, trajneri i Australisë, Bret Houki hodhi dyshime për rezultatin. Sipas teknikut që punon prej 30 vitesh në not “shpejtësia e notarit kinez është e pamundur për t’u arritur nga njerëzit”. Fitorja e Pan Zhanle erdhi pas një ngjarje kontroverse, ku më tepër se 20 notarë kinezë kanë rezultuar pozitivë me doping.
VADA hoqi dënimet dhe disa prej tyre garuan në Olimpiadën e Tokios tre vjet më parë. Prej atij episodi, në Olimpiadën në Paris notarët kinezë ishin mes më të kontrolluarve. Vetë Pan deklaroi se vitin e kaluar e kontrolluan 29 herë dhe kurrë nuk rezultoi pozitiv.