Të punësuarit apo ish-të punësuarit në subjektet e transportit publik, qytetas, ndërqytetas si dhe aktivitetin taksi do të përfitojnë një ndihmë financiare prej 10 000 lekësh. Vendimi i Këshillit të Ministrave është publikuar në Fletoren Zyrtare, teksa saktëson se kjo ndihmë do të përfitohet nga ata punonjës, të cilët kanë përfituar nga paketat e mëparshme të ndihmës financiare apo ky vendim, si edhe ata të cilët nuk kanë përfituar nga paketat e mëparshme të ndihmës financiare, por me kushtin që të figurojnë në listëpagesat e muajit shtator 2020.
Gjithashtu, vendimi saktëson se aplikimi për të përfituar ndihmën financiare për punonjësit apo ish-punonjësit, të cilët nuk kanë përfituar ndihmë financiare, sipas vendimeve të pëparshme të qeverisë, bëhet nga vetë individët. Ndërkohë që, miratimi kryhet pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon apo të dhënat që do të dorëzojnë.”. Ndërkaq, janë edhe disa kategori punonjësish që përjashtohen nga ky përfitim.
Këtu përfshihen individët e punësuar, të cilët kanë realizuar për vitin 2019 të ardhura bruto nga paga mbi 2 000 000 lekë, punonjësit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror. Efekti financiar për këtë shpërblim arrin në masën 245.8 mln lekë, ndërsa do të përballohet nga fondi i rezervave të krijuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
KATEGORITË QË PËRJASHTOHEN NGA NDIHMA FINANCIARE
Individët e punësuar, të cilët kanë realizuar për vitin 2019 të ardhura bruto nga paga mbi 2 000 000 lekë
Punonjësit e institucioneve shtetërore
Të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror