Mëngjesin e kësaj të hëne një shpërthim me tritol ndodhi në Shkodër, ku një 62-vjeçarje i është vendosur në derën e banesës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ”Tom Kola”, rreth orës 03:40. Autori ka qenë i maskuar dhe me motor.
Ai ka hedhur lëndën plasëse në portën e banesës së 62-vjeçares Frida Sala dhe më pas është larguar. Si pasojë e shpërthimit, fatmirësisht ka vetëm dëme materiale, ndërsa ende nuk dihen arsyet që mund të kenë çuar në vendosjen e tritolit.
“Rreth orës 03:40, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetases Frida Sala, 62 vjeçe, është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, njofton policia.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e saj, si edhe identifikimin dhe kapjen e autorit.