Sipërmarrësi Leonard Gjini është lënë në burg nga Gjykata e Fierit, pasi akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda, pas shpërthimit në kapanonin ku humbën jetën babë e bir dhe mbetën të plagosur 7 persona, mes tyre dhe deputeti i PS, Bujar Çela.
I arrestuari nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontrate të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka.
Megjithatë gjykata e Fierit e ka mbajtur ne burg me arsyetimin se pavarësisht mos fillimit te punës nga kompania Gjini, ai duhet të ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë ndërtimi. Ndërkohë avokati i të ndaluarit Arben Zaimi kërkoi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit dhe vendosjen e masës së sigurimit garanci pasurore.
Kujtojmë se shpërthimi ndodhi më 1 mars, teksa një vinç ku ndodheshin dy viktima Roland dhe Elidon Hoxha, baba e bir, po ngrinte një bombol oksigjeni që do të përdorej në lartësi për të kryer saldime.
Babai ka ndërruar jetë në vinç, ndërsa i biri u transportua me ambulancë në drejtim të Tiranës, por fatkeqësisht rrugës ka ndërruar jetë.
Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputetit i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili ishte pronar i kapanonit që po ndërtohej.