Të tjera detaje kanë dalë lidhur me shpërthimin me tritol që ndodhi mbrëmjen e sotme në një banesë në afërsi të qendrës së Durrësit.
Sipas burimeve bëhet me dije se shpërthimi ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit, në katin e parë të banesës së Ilir Kociles.
Ilir Kocila është autori i dyshuar i vrasjes me thikë të Halil Kokës rreth dy javë më parë, pas një sherri për parkimin.
Nga shpërthimi i rreth 500 gramëve tritol nuk raportohet për viktima, por vetëm për dëme materiale.
Ndërkohë Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Më datë 26.02.2024, rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I. K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve.