Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cënon sigurinë kombëtare të Kosovës.
Presidenti mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist.
Një shpërthim i ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.