Shqipëria shënon sot 15-vjetorin e anëtarësimit zyrtar në NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në këtë ditë të veçantë për shqiptarët, presidenti Bajram Begaj ka ndarë një mesazh, duke thënë se kjo datë është më e rëndësishmja e historisë sonë kombëtare.
“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shkruan Begaj.
Lexo edhe :
Related Posts
Kreu i Shtetit shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve që mbështetën Shqipërinë në këtë rrugëtim. Më tej, Begaj ndalen edhe në rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO, duke thënë se ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.
“Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi. Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, shkruan Begaj.