Promovimi i Shqipërisë si destinacion turistik në vende të tjera të botës, duket se ka rizgjuar dhe vetë interesin e shqiptarëve për eksplorimin e pikave turistike ende jo shumë popullore. Plazhet e virgjëra, kanionet e jashtëzakonshme, kështjellat e kalatë që fshehin histori mijëra vjeçare po tërheqin gjithnjë e më shumë kuriozitetin e turistëve që në shumë raste, mbipopullojnë hapësirat duke e bërë këtë një eksperiencë jo dhe aq të bukur sa ç’mund të kishit shpresuar. Por a duhet patjetër të udhëtojmë për t’i shijuar këto vende?
Falë teknologjisë, jo më! Prej më shumë se një viti, aplikacioni Welcome Albania u ka mundësuar adhuruesve të udhëtimit të shijojnë dhe të eksplorojnë Shqipërinë nga pëllëmba e dorës, vetëm me anë të një aparati celular apo tablet. Por tashmë, ai do të vijë në një tjetër dimension. Pasi kaloi fazën e parë që ishte një provë si për ideatorët dhe krijuesit e aplikacionit, Welcome Albania do të vijë me një risi të jashtëzakonshme teknologjike, siç është VR (realiteti virtual) që ofron një shkrirje të fizikes me virtualen.
Nëpërmjet Tourmake Professional që ka sjellë në Shqipëri të gjitha pajisjet e fjalës së fundit të teknologjisë, çdokush do të mund të shijojë virtualisht vendet më të bukura të Shqipërisë, por edhe bizneset më elitare të fushës së hoteleri-turizmit dhe jo vetëm, si të ishte aty.