Nëse mund të quhet një moskoordinim mes tyre për shkak të mungesës së komunikimit me njëri-tjetrin dhe marrëdhëniet e tensionuara, gjithësesi është protokolli i shtetit ai që vihet në dijeni për lëvizjen e Presidentit, kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Vendi sot është “braktisur” nga tre funksionarët kryesore të tij, Ilir Meta, Gramoz Ruçi dhe Edi Rama. Mund të themi që të tre kanë shkelur Protokollin në të cilin thuhet se: “Protokolli i shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të 3 personaliteteve kryesore jashtë vendit, në mënyrë ku vizitat koordinohen që të mos jenë të tre njëkohësisht”.
Presidenti Meta është për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeparlamentari Ruçi në Gjermani dhe kryeministri Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në fakt kjo nuk është hera e parë që institucionet nuk respektojnë Kushtetutën. Pasi edhe më herët ka ndodhur që të tre funksionarët më të lartë të vendit të kenë qenë për vizita zyrtare njëkohësisht.
