“Tirona, në zemrat tona
Me jetë e me sllona
E çmendur, sido të jesh, ti je e jona
Tirona, ke ëndrrat tona,
Jeton orët e vona
E dehur, sido të jesh ti je e jona”
Me jetë e me sllona
E çmendur, sido të jesh, ti je e jona
Tirona, ke ëndrrat tona,
Jeton orët e vona
E dehur, sido të jesh ti je e jona”
Ndoshta është identifikimi më i mirë i Tiranës, i asaj që ndodh në qytetin e ëndrrave. Një qytet që pothuaj nuk fle kurrë, dimër – verë, qyteti që nuk mërzitet kurrë nga jeta e natës e qyteti që, sidomos të rinjve, u jep gjithmonë hapësira argëtimi.
Por 19 vite pas realizimit të kësaj kënge, ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama tashmë në rolin e Kryeministrit, i është dashur që të vendosë ndalimin e bareve, restoranteve dhe të lëvizjes së qytetarëve pas orës 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
Më të prekurit nga këto kufizime janë sigurisht të rinjtë. Kufizimi i orarit të lëvizjes prej përkeqësimit të situatës së koronavirusit ka bërë që sidomos fundjavave lëvizja të spostohet pak më herët dhe të rinjtë të mbipopullojnë zona të ndryshme të kryeqytetit duke mos respektuar edhe masat anticovid.
“Po ku ka korona, s’na bie korona ne”, shprehen disa të rinj neglizhentë për mikrofonin tonë.
Krahas të rinjve që nuk mbajnë maska, ka dhe nga ata të cilët e përdorin, ndonëse respektimi i distancave është i vështirë.
“Përgjithësisht nuk dalim , tani po shkojmë në shtëpi për të respektuar orarin”, thotë një prej të rinjve që e hasim në rrugët e ish-bllokut.
“Nuk dal përgjithësisht, përpiqem që të dal në grupe të vogla dhe nuk i frekuentoj kafenetë se kanë shumë njerëz. Mendoj se është diçka shumë e keqe kjo që po ndodh që njerëzit nuk janë fare të ndërgjegjësuar dhe nuk mendojnë për njëri-tjetrin”, shprehet një tjetër vajzë.
Për sociologen Marsida Simo kjo sjellje e të rinjve lidhet me disa arsye.
“Është vetë adoleshenti në moshën që ka që është i nxituar dhe nuk i do gjërat që zgjasin në kohë, i do shpejt dhe i do tani. Do një plan që deri diku i sjell vetëm përfitime. Dhe përfitimi që do të kishte nga ky realizim dhe nga këto orare , kam përshtypje sidomos adoleshentët dhe më pas edhe të rinjtë, nuk e shohin fitimprurëse ose e shohin shumë të lodhshme. Ne bëjmë gati tashmë një vit duke menduar që jemi në këtë izolim në shkallë të ndryshme dhe në faza të ndryshme. Të rinjtë përveç të tjerave, nuk kanë qenë të mësuar me rregulla dhe me ligje dhe kjo që është një tjetër rregull apo ligj i ardhur tashmë në komunitetin tonë dhe në të gjithë botën nuk e përkrahin të rinjtë. Nuk e kanë dëshirë që të jenë pro ligjeve dhe rregullave. Ata e shikojnë si antikonformizëm të mos zbatuarin e ligjeve apo rebelizmin si diçka të pëlqyeshme dhe që e shikojnë dhe e përhapin dhe tek njëri-tjetri”, thotë Simo.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale uu bën apel qytetarëve të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19, të vendosin maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangien e grumbullimeve dhe ruajtjen e distancimit fizik. Por pavarësisht apelit të institucioneve shëndetësore si dhe kufizimeve, qytetarët e veçanërisht të rinjtë vijojnë të sfidojnë jo vetëm ligjet por edhe vdekjen. Panorama më e qartë ishte për festat e fundvitit ku menjëherë edhe numri i të prekurve u rrit ndjeshëm. Përballë kësaj situate autoritetet shtetërore kanë lënë të hapur mundësinë për kufizime të mëtejshme të orarit të daljes.
Por për bizneset, një masë e tillë do të ishte shkatërruese për bizneset, të cilat prej një viti po punojnë për mbijetesë.
Enri Jahaj, i cili është kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve në kryeqytet shprehet kundër mënyrës se si u menaxhua çështja e pandemisë, duke sjellë sipas tij humbje të mëdha për bizneset që ushqejnë mijëra familja.
“Kemi një vit që jemi në masa shtrënguese dhe kufizuese. Ka një vit që ata që nuk përmenden kurrë që janë clubet që janë të mbyllura. Fatmirësisht Shqipëria ka një gjë që ka clube që numërohen me gishtat e dorës. Por ndërkohë ka artistë, ka performues, ka muzikantë, ka bartendera të cilët sot nuk punojnë dhe nuk çojnë më lek në shtëpi. Që do të thotë impakti është më i gjerë dhe ka shkaktuar një impakt social shumë të madh. Kemi kredi të papaguara, kemi njerëz të cilët tashmë po detyrohen të shesin shtëpitë që të mbulojnë kreditë e tyre, kemi njerëz që po duan të largohen një orë e më parë për të gjetur punë diku tjetër pasi këtu e kanë të pamundur që të punojnë dhe të mbulojnë kreditë e tyre. Që do të thotë impakti është në një shkallë shumë të madhe dhe të gjerë”, thekson Jahaj.
Vështirësitë për bizneset i konfirmon edhe eksperti i ekonomisë Klodian Muço.
“Në momentin kur ekonomia mbyllet me 2 muaj, nënkupton që nëse xhiro e përgjithshme do e pjesëtojmë me 12, i bie tek 8.3-8.4. Shumëzim për 2 tek 16.8 %. Mbyllja dy muaj lockdown, nënkupton që të gjitha bizneset kanë humbur diku tek mbi 16 për qind të të ardhurave të tyre që kjo e ka bërë zero nivelin e fitimit neto përgjatë 2020”, shprehet Muço.
Në një situatë të tillë, Muço propozon marrjen e një sërë masash nga ana e qeverisë që do të zbusnin sado pak edhe problemet ekonomike të pandemisë.
“Nevojitet, nëse vërtet qeveria do të punonte që të reflektonte sa i përket kësaj krize, do të duhet që këto ndihma sa i përket konsumimit të zgjateshin më tepër në kohë dhe jo 2-5 muaj. Pagesat duhet të ishin minimalisht në pagën minimale ashtu siç e bënë të gjithë vendet e Europës. Pagat ishin në nivelin e pagave minimale, të gjitha këto pagat e luftës që u konsiderua. Aspekti i tretë, paketa e tretë që në Shqipëri mungoi ishte paketa e biznesit. Dakord, ndodhi kriza, u godit konsumi, u godit biznesi por çfarë do të bëjmë për biznesin? Vërtet u vendosën dy garanci sovrane që shteti hynte garant sa i përket marrjes së huave, por borxhi i parë sovran u konsumua vetëm në masën 27 për qind, qeveria i lejonte bizneset pagesat për pagat. Biznesi nuk ka nevojë vetëm për pagesat për paga”, shtoi më tej eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numrin më të madh të të prekurve deri më tani e kryeson Tirana me 20808, për t’u pasuar më pas me Fierin, Vlorën, Durrësin, Shkodrën dhe Elbasanin.
Zgjidhja sipas sociologes Simo lidhet me vullneti I institucioneve për zbatimin e ligjit.
“Ne nuk mundet të kapim çdo të ri dhe t’i themi shko në shtëpi. Por mundet që shteti me institucionet dhe personat përkatëse ta bëjnë këtë gjë dhe kjo të vijë pak më e shpeshtë. Dhe ne e kemi parë, për sa kohë që u zbatua në periudhën e marsit në mënyrë shumë më rigoroze , unë them se bëhet. Pra, ligji nëse do të zbatohet mund të zbatohet, thjesht është dëshira, vullneti dhe të jetë në terren e prekshme, jo thjesht përmes ndërgjegjësimit mediatik”, theksoi Simo.
Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në spitalet rajonale po trajtohen 585 pacientë, 37 në terapi intensive nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar.
Shënim: Podcasti është prodhuar në kuadër të projektit “Nxitja e Edukimit për Median dhe Informacionin dhe Fuqizimi i Medias së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”. Përmbajtja nuk shpreh qëndrimet e partnerëve mbështetës të këtij produkti mediatik.