Elbasani ka lënë pas një situatë të jashtëzakonshme emergjence të shkaktuar nga disa zjarre të fuqishme që përfshinë disa zona periferike të qytetit.
Kulmi i situatës arriti kur në fushën e grumbullimit të mbetjeve, të njohur si Landfilli i Inceneratorit të Elbasanit zjarri shpërtheu rreth orës 17:10 dhe ende pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, vatra vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa re të mëdha tymi toksik vijojnë të dalin mbi qytet.
Në vetëm pak orë, Elbasani u përball me katër vatra zjarri, ku përveç landfillit, flakët përfshinë dhe një kodër me ullishte në fshatin Balëz, në veriperëndim të qytetit.
Qindra rrënjë ullinj shekullorë janë shkrumbuar, ndërsa terreni i thyer malor, temperaturat e larta dhe era e fortë e bënë tepër të vështirë ndërhyrjen nga toka. Në këtë rast, forcat e ushtrisë ndërhynë nga ajri me helikopterë, duke shmangur përhapjen më tej të flakëve.
Për të përballuar situatën kritike, u angazhuan 15 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 efektivë nga të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan, si dhe forca ndihmëse nga Kamza, Tirana dhe Berati. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Zjarrfikëses, Arben Cara, ndërhyrja në landfille është një nga sfidat më të mëdha, për shkak të përmasave të mbetjeve, lëndëve të djegshme dhe temperaturave të larta në thellësi.
