Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se do të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump në të ardhmen e afërt, në kuadër të përpjekjeve për të mbajtur gjallë iniciativën amerikane për përfundimin e luftës me Rusinë. Ai tha që, takimi pritet të ndodhë brenda pak ditësh, me shumë gjasa gjatë fundjavës, në Florida.
Por sot data dhe ora e takimit është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, Zelensky dhe Trump do të takohen në rezidencën e këtij të fundit Mar-a-Lago, në Florida, në orën 15:00 sipas kohës amerikane, që korrespondon me orën 21:00 në Itali. Megjithatë nuk thuhet nëse në takim do të marrin pjesë dhe përfaqësues nga Moska.
Në një intervistë për Politico, Trump pati deklaruar se pritet edhe ardhja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. “Kam Zelenskyn dhe Bibin që vijnë”, deklaroi Trump, duke shprehur bindjen se ekziston një “mundësi e mirë” për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Megjithatë në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk ka ende konfirmim për takim me Netanyahu-n.
Zelensky ka bërë të ditur se fokusi i bisedimeve do të jetë një plan paqeje i ndërmjetësuar nga SHBA-të, si dhe propozime të veçanta për garanci sigurie për Ukrainën. Ai ka theksuar se plani përmban 20 pika dhe është rreth 90 për qind i përfunduar. “Qëllimi ynë është që gjithçka të jetë 100 për qind gati. Nuk po humbasim asnjë ditë”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se shumë vendime mund të merren para Vitit të Ri.
Nga ana tjetër, reagimet nga Moska kanë qenë të rezervuara. Një zyrtar i lartë rus ka deklaruar se plani amerikan ndryshon ndjeshëm nga ai që Rusia po diskuton me Shtetet e Bashkuara. Kremlini ende nuk ka komentuar mbi propozimin e Zelensky-t për tërheqjen e trupave ukrainase nga disa zona të Donbasit, nëse Rusia bën të njëjtën gjë.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Gjatë natës, disa sulme ajrore ruse goditën Kievin, duke plagosur të paktën pesë persona, ndërsa autoritetet ukrainase njoftuan se mbrojtja ajrore po përpiqej të zmbrapste sulmet me dronë dhe raketa në të gjithë vendin. Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, u raportua për viktima dhe të plagosur pas një tjetër sulmi rus.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura së bashku si Donbas. Ukraina po kërkon garanci të forta sigurie nga SHBA-të si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe ka hedhur idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike të demilitarizuar në disa pjesë të rajonit.
Trump, në deklarata për mediat amerikane, ka thënë se pret të flasë së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se beson se bisedimet me të dy liderët do të “shkojnë mirë”.
