Deputeti i PS, Denis Deliu i ftuar në një intervistë televizive ka komentuar ndryshimet e thella në rendin ndërkombëtar dhe ka përshpejtuar riarmatimin e shteteve, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi se vendimmarrja për sigurinë ka ndryshuar rrënjësisht dhe sot shumë shtete janë në radhë për të siguruar armatime. Shqipëria, sipas tij, ka bërë investime të zgjuara në Forcat e Armatosura, përfshirë porositë për raketat Javelin dhe Stinger, që janë shumë të kërkuara ndërkombëtarisht.
Sipas tij, pas agresionit rus, shumë shtete po ndjekin objektivat e tyre përmes forcës, ndërsa të tjera po mbrohen duke fuqizuar kapacitetet ushtarake. Në lidhje me zhvillimet rajonale, Deliu ngriti shqetësimin për rritjen e buxhetit të mbrojtjes nga Serbia, që në vitin 2025 do të arrijë në 2.2 miliardë euro.
“Kjo shumë tejkalon buxhetet e të gjitha vendeve të NATO-s në Ballkanin Perëndimor të marra së bashku. Kjo nuk është vetëm për mbrojtje, por përfaqëson një qasje agresive. Serbia, si aleate e Rusisë, përmes furnizimeve ushtarake, mund të kërkojë destabilizimin e rajonit,” – paralajmëroi ai.
Denis Deliu: Situata gjeopolitike, por edhe gjeostrategjike pas luftës në Ukrainë ka ndryshuar. Kemi një rend të ri botëror, kemi shumë shtete që duan të arrijnë objektivat përmes forcës, ndërsa disa shtete të tjera duan të mbrohen përmes ushtrive.
