Diabeti po prek gjithnjë e më shumë edhe fëmijët në vendin tonë dhe sipas specialistëve janë rreth 600 fëmijë që rezultojnë me këtë sëmundje.
“Nëse ne dikur flisnim për diabet vetëm në moshat e thyera dhe në mosha mbi 40 vjeç për shkak të mënyrës së jetesës dhe shumë problematikave të tjera ne flasim për diabet tani në mosha shumë të vogla. Ne në qendër kemi fëmijë me diabet kemI me diabet tip 1 insulinovartës, pra diabet i cili është genetik dhe trajtohet gjithë jetën me insulinë. Në fakt diabeti është kthyer në një problematik shumë të madhe edhe pas Covidit, edhe për shkak të përdorimit të gjerë të kortizonikëve, diabeti dhe rastet shtohen çdo vit edhe më tepër. Edhe tek fëmijët e vëmë re këtë gjë”, thotë Sonila Brati.
Kur prindërit ndeshin te fëmijët lodhje apo rënie në peshë, mjekët rekomandojnë analizën e glicemisë tek kjo grupmoshë për të evidentuar sa më herët nëse kanë diabet.
“Analiza e glicemisë thuajse tek çdo fëmijë që i bëjmë një analizë gjaku i bëjmë edhe një glicemi esëll sepse shpeshherë prindërit thonë që fëmija është i lodhur, pi shumë ujë, ka një rënie në peshë dhe këto janë nga simptomat e diabetit tip 1. E mira është që të bëjnë analiza edhe nëse sikur fëmija nuk ka bërë kurrë ekzaminime të paktën njëherë në vit, apo një herë në gjashtë muaj duhet të bëjë një analizë glicemie për të parë”, deklaron Brati për Klan News.
Sipas shifrave zyrtare në të gjithë vendin janë mbi 90 mijë persona të rritur dhe fëmijë që janë të prekur nga diabeti, shifra që kanë ardhur gjithnjë e në rritje vit pas viti.