Edhe pse ishte përcaktuar sot seanca, çështja për dosjen “Butrinti” në Gjykatën Kushtetuese është shtyrë. Deputetja e PD-së, Ina Zhupa e cila ka bërë edhe padinë, tha se nuk mund të lejohet që një zonë e mbrojtur nga UNESCO të lihet në dorë të një fondacioni që sipas saj do të bëjë interpretimin e gjetjeve duke i konsideruar këto të fundit si trashëgimi greke. Deputetja argumentoi se një zonë e tillë nuk duhet të hiqet nga kompetencat e Ministrisë së Turizmit dhe që bashkia e Sarandës të vihet në rolin e zbatimit të urdhërave që jep fondacioni.
“Ajo që ndodh në Butrint është që çdo gjetje, do të interpretohet nga ky staf dhe do të tjetërsojnë historinë me tezat e tyre që Butrinti ka trashëgimi greke. Ajo që ndodh tjetër, është fakti se Butrinti i hiqet nga komptencat e gjithë organet e shtetit që nga ministria e Turizmit apo Agjencia e Zonave të Mbrojtura sepse bën një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik turistik.
Edhe bashkia e Sarandës është vënë në rolin e një çiraku për fondacionin, ku jep urdhra fondacioni lidhur me atë që duhet bërë dhe nuk ka asnjë kompetencë brenda zonës së vetë. Konventa e Parisit ku ne jemi pjesë, ndalon në mënyrë të rreptë që fondacionet të marrin nën administrim pasuritë e UNESCO-s. Ne e ftojmë fondacionin të japë donacione për Butrintin por kurrsesi të marrë nën administrim një pasuri të UNESCO-s”,-tha Zhupa.
Deputetja Zhupa shpesh është përfshirë në debate me ministren e kulturës Elva Margariti, pasi pretendon se parku i Butrintit po i jepet për 10 vite privatit. Zhupa ëshë shprehur se lidhur me këtë projekt nuk është marrë mendimin nga asnjë arkeolog, ndërsa nuk kanë as aprovim nga UNESCO.