Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të ulët shtretërish spitalorë në raport me popullsinë.
Sipas të dhënave që ka publikuar Instituti i Statistikave pak ditë më parë, përllogaritet se ka 3 shtretër në dispozicion për 1000 banorë, duke u renditur kështu e shtata për nga numri i ulët në Europë.
Krahasuar edhe me vendet e rajonit, Shqipëria ka një diferencë të dukshme. Në Malin e Zi, sipas të dhënave të Eurostat mbi numrin e shtretërve dhe të popullsisë, dhe përllogaritjeve të Monitor, ka rreth 3.9 shtretër për 1000 banorë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 4.4 dhe Serbia me 5.6.
Në kahun tjetër qëndron Gjermania ku sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, numri i shtretërve spitalorë për 1000 banorë është 8.1, duke mbajtur kështu rekordin në Europë.
Vendet e tjera me një numër të lartë shtretërish për 1000 banorë janë: Austria me 7.5, e ndjekur nga Bullgaria me 7.2, Hungaria me 7 dhe Çekia me 6.9.
Ndërsa ndër vendet me numrin më të ulët renditet Suedia, ku sipas përllogaritjeve për 1000 banorë ka 2.4 shtretër në dispozicion. Me një diferencë të ngushtë, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka kanë 2.6 shtretër për 1000 banorë, të ndjekura nga Turqia me 2.8, Irlanda me 2.9 dhe Spanja me 3./Monitor