Nga Irena Beqiraj
Arlind Gjokutaj nuk është një djalë do si do.
Unë e njoh mirë, kam punuar me të edhe ja njoh cilesitë, qoftë ato profesionale, njerëzore edhe morale. Kush nuk është përzjerë me gjysmë centi duke qenë drejtor dogane, vendi ku drejtorat e drejtoreshat, hyjnë të veshur si Luli i Vockel e dalin si sheiket e Dubait, kush le me dëshirë “fatin e madh” për të qenë drejtor dogane, kur të tjerët mund ta linin zyrën vetëm të vdekur, e ka kaluar testin më të fortë e të vështirë të integritetit.
Kush ka qenë Drejtor i Parandalimit edhe Pastrimit te Parave, edhe jeton në shtëpi me kredi, kur veshja e një dite të zakonshme shkolle e vajzës minorene te te ngjajshmit të tij kushtonte sa rroga e 2 muajve, e ka kaluar testin e integritetit. Arlindi është djalë me integritet, si rrallë kush në administratë, një djalë i shkolluar qytetar, që kurrë nuk do ta besoja që ka pranuar ti vendos çmim firmës apo veprimeve të tij, sepse nuk është udhëhequr asnjëherë nga normat e tregut, por nga normat morale.
Por Arlindi si gjithë të vdekshmit e tjerë mund të gabojë. Në pirgun e letrave që firmos çdo ditë personi i parë autorizues i gjithë shtetit shqiptar, (siç është sekretari i përgjithshem i Ministrisë së Financave ) gabimi është për këdo mëse i mundeshëm.
Gabimi që ka bërë, (nëse ka një të tillë), ka kostot e veta, por Arlindi padyshim do të mbetet një djalë i mirë një qytetar i shkëlqyer, i cili pavarësisht çdo gjëje do të gëzojë gjithmonë respektin e njerëzve që e njohin e kanë punuar me të, unë padyshim do të zgjidhja gjithmonë të punoja me të. Uroj të ketë edhe mirëkuptimin e gjendjes tonë të lodhur nga korrupsioni, ku me të thatin digjet edhe i njomi.
Ps. Sado e çuditshme të duket, ka akoma në këtë vend djem e vajza të ndershëm, Arlindi padyshim është një nga ata, mos i gjuani me gurë. Gabimi është njerëzor.