Ben Blushi, politikani shkrimtar, e përshkruan kështu në romanin e tij të ri “Kandidati” qytetin e Elbasanit, një libër tërësisht ironik që iu kushtua katër vite më parë kryetarit aktual të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, që në librin e tij e ka quajtur Kadim Sedini.
Blushi e konsideron kandidatin një “kandidat të vdekur” dhe personazhi kryesor i librit, duhet të bëjë fushatën e një kandidati të vdekur. Të gjitha detajet të çojnë te fushata e Elbasanit dhe kreut aktual të bashkisë që mori votat e qytetarëve të Elbasanit. Në mënyrë figurative, autori bën ironi për kandidatin e vdekur, ndoshta duke dashur të thotë se është po aq e çuditshme që votuesit e Elbasanit, ku Ben Blushi është deputet i parë i qarkut si politikan, votuan për të katërtën herë një kryetar bashkie që sipas romanit, nuk sillte gjë të re, sepse “ishte i vdekur”.
Në libër, Ben Blushi për të përshkruar Kadim Sedinin përdor akuzat që përdori realisht PD në fushatën kundër Qazim Sejdinit në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit 2015. Ja se ç’shkruan shkrimtari politikan:
“Një njeri i cili gjatë gjithë jetës, nuk ka treguar asnjë shenjë mirësie, ka vjedhur zgjedhjet, ka blerë votat, ka korruptuar dhe është korruptuar, ka ndërtuar gjysmën e godinave të reja të Basenit dhe ka aksione në shumicën e aktiviteteve private që pa firmën e tij s’mund të ngriheshin kurrë mbi dhe. Në çdo kuptim, Kadin Sedini ka qenë pronar i Basenit. E kujt mund ti kërkohet të heqë dorë nga prona, pas vdekjes?” shkruan Blushi në romanin e tij “Kandidati”.
Dhe duket se Blushi në romanin e tij merr në analizë edhe votuesit e Elbasanit, apo Basenit, sipas përshkrimit në roman.
“Si e kanë votuar Kadim Sedinin tri herë rresht, mendova. Nëse do të jetoja aty, s’do të mund ta votoja kurrë. Ai njeri përfaqësonte gjithë përtacinë e shekujve që kishin kaluar mbi qytet. Po mesa duket Kadim Sedini nuk e kishte fuqinë te punët e mira. Ai kishte qenë një zanatçi elektoral. E kishte kthyer në industri aftësinë për të mbledhur vota dhe ndoshta këtë talent ia kishte trashëguar edhe të birit. Zgjedhjet për të ishin një biznes, dhe biznesi i tij ishin zgjedhjet. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë makinacionet e mia në internet nuk kishin asnjë vlerë. Shqipëria mund të jetonte disa javë me fabulat e mia të stisura, por ato nuk do të kishin asnjë ndikim mbi votën e Basenit”, shkruan Blushi për kandidatin e tij si personazh, që dukshëm personifikon kryetarin aktual të bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini.
Romani “Kandidati” i Ben Blushit doli në tetor 2015 në qarkullim.
Marrëdhëniet e tij politike me Qazim Sejdinin, kryetarin e bashkisë së Elbasanit, nuk kanë qenë të mira dhe Ben Blushi nuk u shfaq asnjëherë në fushatën e zgjedhjeve në Elbasan, edhe pse ishte në atë kohë deputeti i parë i listës për qarkun.
Ka qenë kritik me përzgjedhjen e kandidatëve të mazhorancës nga Edi Rama dhe Ilir Meta dhe kulmi arriti me “Hasanizimin e politikës shqiptare”, një koment që e botoi në media, ku atakonte kandidatin e Kukësit të maxhorancës, Hasan Halili, duke hapur një debat të madh për përzgjedhjen e kandidaturave.
Me sa duket Ben Blushi, parashikoi edhe fatin e zi të Qazim Sejdinit, ose siç e njohin në Elbasan, “Lala”. Rama ka vendosur tashmë që të mos e rikandidojë më, fakt i pranuar tashmë edhe nga vetë Sejdini.