Zbardhet dosja hetimore e mashtrimit të qindra qytetarëve nga vende të ndryshme të Bashkimit Euriopian, përmes Call Centerave në Shqipëri.
Në dosjen e siguruar nga Balkanweb, thuhet se: “nga shërbimet partnere janë duke u kryer hetime lidhur me veprën penale të mashtrimit kompjkuterik, për arsye përfitimi, ku dëmi i shkaktuar qytetarëve kap shifrën e disa mijëra eurove. Sapo viktima regjistrohej ne platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numër telefoni, autorët e kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijonin një bazë besimi me klientin e pretenduar. Fillimisht klienti tundohet të investojë në sasi të vogla, me premtimin se brokeri-ndërmjetësi i pretenduar i faqes se investimeve do të realizojë një fitim të madh me investigimin e aksioneve dhe valutave të kriptuara. Ky premtim i bazuar në një platformë fiktive, e cila ka për qëllim mashtrimin e viktimave nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për përfitime të padrejta ekonomike, është i rremë”.
Në kuadër të hetimit të nisur në shtator të 2021, Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e 35 personave, mes tyre dhe administratorin e subjektit “RG Capital” shtetasin izraelit, Refael Genish. Ndërkohë, që 20 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Prokuroria, ndërkohë, po kryen hetime edhe për disa Call Center të tjera, pasi ka dyshime se mashtrojnë qytetarë shqiptarë dhe të huaj.
Më shumë se 60 persona janë shoqëruar ditën e djeshme nga policia pasi akuzohen për mashtrim në call center. Mësohet se punonjësit ishin të punësuar në një kompani, e cila ishte në pronësi të një izraeliti. Operacioni kundër mashtrimeve vijon prej muajsh në vendin tonë, nëpër call-centera që njihen si bursa ose me emrin “Forex”.
Procedimi penal ka nisur nga ana e Drejtorisë Qëndrore të Hetimit në Policinë e Shtetit. Operacioni ka nisur që në orët e pasdites së djeshme dhe është në vijim, ndërsa punonjësit që janë shoqëruar në polici, po merren në pyetje. Dyshohet në përfshirjen edhe të personave me shtetësi jo shqiptare ndërsa rëndon mbi ta akuza për veprën “Mashtrim kompjuterik me pasoja të rënda”.