Harrojeni LinkedIn! Golfi është konsideruar forma më e mirë e argëtimit të njerëzve të biznesit apo punonjësve në korporata, sepse krijon mundësi të shumta për zgjerimin e rrjetit profesional. Golfi mund të luhet nga të gjithë. Nuk ka kufizime në moshë. Kështu që mund të jeni një sipërmarrës i ri në të njëzetat dhe të hyni në komunikim me një investitor rreth të pesëdhjetave në një lojë golfi. Në Shqipëri, golfi është thuajse i panjohur dhe si i tillë, nuk njihet nga masa. Ai njihet si “sporti i aristokratëve shqiptarë”.
Projekte golfi në Shqipëri janë diskutuar që një dekadë më parë, por 2019-a e gjen vendin ballkanik me klimë të përshtatshme për këtë sport, pa asnjë fushë golfi të mirëfilltë. Kryetari i Federatës Shqiptare të Golfit, Marin Harxhi, thotë për “Monitor” se golfi është një sport shumë i ri për publikun dhe mjedisin shqiptar. Ky sport lindi nga dëshira e disa lojtarëve amatorë, të cilët jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë për t’u bërë bashkë dhe për të përfaqësuar për herë të pare ngjyrat e flamurit në arenën ndërkombëtare.
“Them ndërkombëtare, pasi për momentin, ky sport elitar në vendin tonë nuk e ka gjetur përkrahjen e shtetit për ambiente ku të mundësohet ushtrimi për shumë të rinj, duke iu dhënë mundësinë atyre për t’u larguar nga shumë vese dhe stresi i përditshëm. Golfi është jo vetëm një lojë tërheqëse dhe konkurruese, por sjell më afër njerëzit, biznesin, turizmin”, – thotë z. Harxhi.
Federata Shqiptare e Golfit është themeluar në vitin 2011, së bashku me ekipin kombëtar, dhe rritet çdo vit, pasi shumë shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë dhe luajnë golf, kanë dëshirë t’i bashkohen ekipit. “Në fakt, themelimi i Federatës sonë ka qenë edhe një përkim rastësor, pasi në të njëjtin vit, Klubi Mbretëror i St. Endrju vendosi të organizonte për herë të parë turneun e Ballkanit. Synimi ishte ngritja e nivelit të golfit të shteteve në zhvillim si Shqipëria, Maqedonia etj. Dua të përmend këtu që rolin kryesor në anëtarësimin tonë në EGA (European Golf Association) e ka Federata e Golfit të Bullgarisë, pasi ata na mundësuan fushën e tyre në Sofje si dokumentacion për anëtarësim”, – thotë z. Harxhi.
Ai shton se, mjediset ku lojtarët tanë ushtrohen jashtë Shqipërisë i kanë të gjitha kushtet.
“Aktualisht, shtetet europiane e kanë mbështetur dhe i kanë dhënë përparësi për brezat. Në Shqipëri jemi ende larg një projekti të tillë, edhe pse angazhimi ynë ka qenë dhe është maksimal. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë instancave në vendin tonë, që, edhe pse e kanë të pamundur gjetjen e një fushe në përmasat e fushave të golfit, të paktën një fushë praktike në kryeqytet do të ishte një fillim i mirë. Rrethinat e Tiranës ofrojnë shumë mundësi të tilla”, – thotë ai. Kryetari i Federatës Shqiptarë të Golfit shton se tërheqja e një investitori në këtë fushë duhet të ndërmerret si pjesë e strategjisë së turizmit shqiptar.
“Dëshiroj të theksoj që Federata jonë nuk ka përfituar asnjë fond nga të gjitha qeveritë që nga themelimi i saj dhe kjo e bën shumë të vështirë aderimin në Shoqatat e huaja të Golfit. Kjo është shumë e rëndësishme për ta vendosur Shqipërinë në hartën e një vendi strategjik për ndërtimin e fushës së golfit dhe më tej, për ta shndërruar në biznes fitimprurës”, – thotë kreu i Federatës Shqiptare të Golfit.
Golfi si biznes
Edhe golfi, si çdo biznes tjetër, veç të mirave ka edhe vështirësitë e tij. Çdo fushë golfi është një ndërtim artificial dhe përfshin jo vetëm fushat aktuale, por shoqërohet me lehtësi që ofrohen për akomodim dhe zbavitje për lojtarët.
Secila fushë mbulon zona mesatarisht 80-150 hektarë toke (pyll, ferma dhe bregdet). Për shkak të promovimit të suksesshëm, ndërtuesit në këto raste kërkojnë një tokë me vlerat më të bukura.
Por, të mirëmbash një fushë golfi cilësohet shumë herë më e vështirë se sa ta ndërtosh atë. Në ishullin e Istrias në Kroaci bëri jehonë pak vite më parë planifikimi i fushave të golfit. U tha se jo më pak se 23 fusha golfi po përdoren për urbanizimin e mëtejshëm të një seksioni të pazhvilluar të natyrës dhe vendit bregdetar. Bullgaria ka 4 fusha të mirëfillta golfi. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia janë të vetmet në Europë pa fusha golfi. Nga ana tjetër, Serbia “mburret” me kurset më të mira të golfit në rajon, si dhe me një fushë të madhe golfi në dalje të Beogradit, ashtu sikurse edhe me shumë të tilla minigolfi.
Në fshatin Ibë, vetëm 17 km larg Tiranës, që një dekadë më parë mësohej golf, një sport pa traditë në vendin tonë. Nëpërmjet një teknologjie të sjellë asokohe nga Turqia, në një çadër virtuale mësohej se si luhej golfi, për ta bërë më të prekshme për shqiptarët, duke qenë se njëkohësisht planifikoheshin dy projekte madhore. Marin Harxhi, kreu i FSHG, pohon se teknika u ndërpre pasi u vu re që interesi ishte i vogël dhe duke mos pasur mbështetje për ndërtimin e një fushe të mirëfilltë, nuk u arrit të kultivohej si duhej dashuria për këtë sport. Sipas tij, që ta duash, duhet në fillim ta njohësh dhe kjo nuk arrihet pa pasur një fushë.
Në Shqipëri ka vetëm një fushë minigolfi, e ndërtuar në Dajt vjeshtën e kaluar, e cila mund të japë nxitjen e parë për të pasur një fushë të mirëfilltë – sipas informacioneve paraprake, kjo lojë nisi të praktikohet dhe të pëlqehet.
Shqipëria
Vendi ynë ka afërsisht 2400 orë diell në vit me një mesatare 240 deri 300 ditë me diell. Temperatura mesatare vjetore në bregdet arrin 23-25 gradë Celsius. Në këto kushte, golfi mund të ushtrohet për rreth 8 muaj në vit, kur sezoni i plazhit nuk zgjat më shumë se 3 muaj
Projekti në Divjakë
Në kufi me Parkun e Divjakës është projektuar të ngrihet një resort turistik, me sipërfaqe të përgjithshme 3,342 hektarë, pjesë e së cilës do të jetë një fushë e mirëfilltë golfi, në një sipërfaqe të konsiderueshme. Në faqen zyrtare në internet të kompanisë “Mabetex Group” është bërë publik projekti dhe fotot se si do të jetë dhe hapësirën që do të zërë.
Resorti do të ndërtohet në kufi me Parkun Divjakë-Karavasta. Në faqen zyrtare të kompanisë thuhet se ai do të prekë 1050 hektarë në pyll, 200 hektarë në det, 820 hektarë tokë jopjellore, sipërfaqe të ujit dhe të lagunës: 1,270 hektarë (flora dhe fauna). “Plani i zhvillimit për Shqipërinë nëpërmjet ‘Divjaka Resort’ paraqet një mundësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale për banorët e zonës dhe për vendin në tërësi. Do të krijojë stimul për sektorin e bujqësisë dhe do të zhvillojë komunikimin dhe transportin. Ky resort ofron mundësi për rizhvillimin e mjedisit, duke ofruar siguri për kafshët e egra të parkut” – thuhet në projektin e publikuar nga kompania “Mabetex Group”
Më 28 prill të vitit të shkuar, kompania “Mabetex” organizoi dëgjesën e radhës në Divjakë me banorët vendas si detyrim i Vlerësimit Strategjik Mjedisor që ka ndërmarrë në procesin e planifikimit dhe miratimit nga qeveria shqiptare. 250-300 banorë vendas, shoqata mjedisore të ardhura nga Tirana, organizata dhe misione të huaja në Shqipëri morën pjesë duke dëgjuar specifikimet e projektit. Sipas specialistëve, projekte si “Divjaka-Resort” do ta rendisnin Shqipërinë në listën e vendeve që ofrojnë turizëm elitar dhe masiv. Ndërsa për Divjakën do të ishte një mundësi zhvillimi, punësimi dhe promovimi ndërkombëtar.
A mund të bëhet Shqipëria kryeqendër e golfit europian?
Nuk është e lehtë që golfi të funksionojë si një biznes i suksesshëm në Shqipëri, pa pasur një strategji dhe mirëkoordinim me të gjithë faktorët si dhe me shoqatat e golfistëve në Europë dhe më gjerë. Arsen Hoxha, specialist i fushës së sportit, pohon për “Monitor” se është në interes të qeverisë shqiptare dhe strukturave përgjegjëse, ndërmarrja e një studimi të tillë, duke qenë se Shqipëria i ka të gjitha kushtet për t’u bërë kryeqendra e golfit europian.
“Janë disa arsye që mendoj se kjo është plotësisht e mundur.
1- Kushtet tona klimatike janë të favorshme, janë të përafërta me ato të Myrtle Beach. Shqipëria ka afërsisht 2400 orë diell në vit me një mesatare prej 240 deri në 300 ditë me diell. Temperatura mesatare vjetore në bregdet është 23-25 gradë Celsius. Në këto kushte, golfi mund të ushtrohet për rreth 8 muaj në vit, kur sezoni i plazhit nuk zgjat më shumë se 3 muaj
2- Distanca e shkurtër, e cila në asnjë rast nuk shkon më shumë se 3 orë udhëtimi në avion është e favorshme për golfistët europianë, kudo që ata ndodhen
3- Falë Aeroportit të Rinasit dhe atij të Vlorës që do të ndërtohet së shpejti, golfistët nuk do të humbin shumë kohë për lëvizjen e tyre.
4- Qendrat e qyteteve, të pajisura me infrastrukturën e domosdoshme, janë shumë afër vendeve ku mun të ndërtohen fushat e golfit.
5- Shqipëria është një vend i bukur, me qendra turistike shumë interesante dhe me një bregdet të mrekullueshëm.
6- Kuzhina shqiptare është e veçantë dhe tërheqëse për të huajt.
7- Çmimet janë modeste
8- Fushat e golfit dhe ambientet e strehimit, ushqimit dhe dëfrimit, në përgjithësi ndërtohen në periferi të qendrave të banuara, si dhe në bregdet
apo afër bregdetit, por nuk cenojnë hapësirat e plazheve private apo publike.