Rreth dy javë më parë QSUT u kthye në një vatër infeksioni, ku një pjesë e stafit mjekësor u infektua me Covid, duke u kthyer edhe në transmetues tek pacientët.
Lidhur me këtë situatë, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Binio, e arsyeton se nuk janë zbatuar masat e sigurisë nga bluzat e bardha.
“Në këto 67 raste nuk është vatër QSUT dhe as poliklinika. Ka pasur raste nga QSUT, por s’mund të themi vatër.
Natyrisht problemi i QSUT ka qenë tepër i rëndësishëm por dua të theksoj që mjekët, punonjësit shëndetësor nuk janë më kot më të rrezikuarit, dhe sfida kryesore është në mbrojtjen e tyre.
Kjo lidhet me edukimin e tyre për t’u mbrojtur. Po të ishte kështu do ishin infektuar të gjithë poliklinikat e vendit. Nuk kemi patur grumbullime të stafit që të kemi pasur shpërthim epidemik.
Kjo ka ndodhur përpara 2 javëve dhe ne jemi përpjekur ta adresojmë së bashku me QSUT e cila ka ngritur edhe një grup hetimi. Tani po përfundojmë bashkërisht hetimin e shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje. Dua të them se problemi kryesor ka qenë moszbatimi i rregullave të kontrollit të infeksionit.
Mos përdorimi i maskës dhe mjeteve mbrojtëse të stafit, QSUT në përgjithësi ka një lloj tangërllëku, më falni që po e them por ndoshta është elita profesorët. Dhe shpesh herë edhe kur ua kërkon këtë me domosdoshmëri ata nuk e mbajnë, pra mbajtja e maskës është e detyrueshme.
Hyrje dhe daljet që nuk lidhen me të sëmurët nuk duhet të ndodhin, duhet një qëndrim strikt në mënyrë që masat e kontrollit të infeksionit të zbatohen”, tha Bino.