Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës që përfshinë vendin gjatë natës kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa zona të Shqipërisë.
Përveç lagështisë, në shumë akse raportohet rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji, ndërsa në lartësitë mbi 1100 metra në veri të vendit kanë nisur reshjet e dëborës.
Situata mbetet problematike kryesisht në rrugët malore si Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh dhe Qafë Mali-Fierzë, por edhe në disa segmente të Shqipërisë së Mesme si Elbasan-Gjinar dhe Ibë-Krrabë.
Për momentin, disa akse rrugore paraqesin rrezik ose bllokime të pjesshme. Rruga Valare-Erind-Çajup është aktualisht e bllokuar për shkak të një rrëshqitjeje aktive dherash, ku po punohet për hapjen e saj. Ndërkohë, në segmentet Qafë Dushk-Sevaster dhe në Shkallën e Zezë në Gjirokastër, qarkullimi po kryhet me një korsi pasi rruga është ngushtuar nga dëmtimet. Shqetësuese mbetet situata edhe në aksin Përmet-Tre Urat, konkretisht te Ura e Petranit, ku një shkarje masive ka krijuar një çarje prej rreth 10 centimetrash në trupin e rrugës.
Në zonën e Llogarasë, shoferët po përballen me mjegull shumë të dendur që kufizon shikueshmërinë, ndërsa në akset Librazhd-Qafë Thanë dhe Skuraj-Peshkopi po punohet për pastrimin e dherave dhe gurëve që kanë rënë në rrugë. Edhe në segmentin Dushaj-Lekbibaj qarkullimi vijon me kujdes të shtuar pas rënies së një masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të ulin shpejtësinë për shkak të lagështisë dhe të mos nisen drejt zonave malore pa goma dimërore dhe zinxhirë.
