Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar një situatë të rënduar në të gjithë territorin e Bashkisë Mat. Dëmtime të konsiderueshme janë shënuar në rrugët rurale të njësive administrative Macukull, Derjan, Rukaj, Baz, Komsi, Ulëz dhe Lis, ku qarkullimi është vështirësuar ose bllokuar plotësisht. Prurjet e mëdha të ujërave kanë dalë nga shtrati i kanaleve dhe kanë përmbytur rrugë të qytetit dhe fshatrave.
Disa fshatra të njësive Macukull dhe Derjan janë aktualisht pa energji elektrike, ndërsa rezervuarët në zona të ndryshme janë tejmbushur. Në aksin kombëtar Burrel–Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin. Uji ka hyrë në oborret e disa shkollave, ndërsa në Baz dhe Lis disa banesa janë përmbytur ose paraqesin rrezik shembjeje.
Administratorët kanë raportuar që në orët e para të mëngjesit për situatën e krijuar në të tetë njësitë administrative, duke evidentuar rast pas rasti problematikat. Reparti i zjarrfikësve e nisi ditën me evakuimin e një familjeje në zonën e Bazit dhe po vijon punën për largimin e ujërave të tepërta në zonat e bllokuara. Ndërkohë, ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike për të gjithë banorët e prekur. Edhe firma mirëmbajtëse e rrugës nacionale ka rritur kapacitetet me mjete dhe punonjës për të garantuar qarkullimin në aksin kryesor.
Bashkia Mat ka angazhuar të gjitha burimet e saj për të mbështetur banorët në këtë situatë të vështirë. Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe rikthimi i normalitetit në zonat e goditura nga fatkeqësia natyrore.

