20 vite në dyert e Gjykatës. Kështu ka ndodhur me banorët e Sucit në Bashkinë e Klosit. Herën e fundit një përfaqësi e tyre kontaktoi me Prefektin e Qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu. Në mjediset e bashkisë u organizua një takim tjetër, tashmë me drejtuesit e pushtetit lokal dhe banorë të fshatit Suc.
Abaz e Hasan Kuka u shprehën se në vitin 1991, ashtu si kudo komisionet e ndarjes së tokave bënë ndarjen e ngastrave, bazuar në ligjin nr.8501 “Për ndarjen e tokave”. Fillimisht nuk pati shumë kundërshti e debate. Më vonë familja e Kadri Kukës, babai i avokatit Veri Kuka, nuk la shumë familje ta shfrytëzojnë tokën e ndarë me tapi. ”Familja Kuka zaptoi 335 dynym tokë duke na nxjerrë nga tokat tona. Pati sherr të madh, madje edhe dhunë fizike. Ne nuk duam të vritemi, duam vetëm drejtësi”, u shpreh Hasan Kuka. Ai dhe disa kryefamiljarë të tjerë thanë se janë zhvilluar të paktën 187 seanca gjyqësore për të mundësuar zbatimin e ligjit për ndarjen e tokave në Luginën e Matit.
Banorët thanë se janë cënuar nga avokati Kuka 23 familje, toka e të cilëve pasi është zaptuar forcërisht u është dhënë me qera disa familjeve të tjera. 59 tituj pronësie janë ndryshuar me vendim gjykate. Abaz Kuka, një tjetër banor i tha Prefektit Shehu dhe kryetarit të Bashkisë Klos se me ligj mori 34 dynym tokë, katër ia hoqi gjykata dhe 8 dynym ia mori avokati Veri Kuka me forcë, duke nxitur familjarët të dhunojnë gra, fëmijë e të moshuar. Prefekti tha se aktet e marrjes së pronësisë janë ligjorë dhe ato duhet të zbatohen.
Bashkia dhe njësia administrative duhet të grumbullojë dokumentacionin e plotë në lidhje me sasinë e tokës për çdo familje. “Të ngrihet një komision nga bashkia së bashku me njësinë administrative dhe të saktësohet gjithçka. Të shmangim çdo konflikt mes banorëve. Ne, -shtoi Shehu, do të kërkojmë edhe azhornimin e tokës në këtë fshat, pasi AMPT-të e tyre nuk janë marrë në konsideratë nga Hipoteka për shkak të problemeve që mbartin”.