Pasi kishin aplikuar për pasaporta në konsullatat tona në Athinë, Selanik e Janinë, shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi, prisnin këto ditë që të merrnin pasaportat e reja.
Por mënyra skandaloze se si u transportuan nga Ministria jonë e Jashtme drejt Greqisë, hodhi në erë këtë procedurë. Pasaportat e reja të përgatitura nga kompania koncesionare Aleat, ishin futur në çanta me të cilat zakonisht trnasportohen rroba dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë. Por gjatë kontrollit të policisë greke në Kakavijë kjo dërgesë ka krijuar dyshime dhe çantat janë bllokuar.
Burime nga Agjencia e transportit të udhëtarëve kanë thënë për “Panorama” se policia greke ka ndaluar shoferin e autobusit si të dyshuar në një trafik me pasaporta shqiptare ndërkombëtare. Kjo situatë ka krijuar shqetësime dhe për udhëtarët e autobusit, të cilëve po u bëhej e pamundur lëvizja drejt Greqisë.
Shoferi ka sqaruar për autoritetet greke se ishte një dërgesë e MPEJ, dërguar ambasadës sonë në Athinë. Të çuditur nga kjo llojë dëshmie, policia greke ka hyrë në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Greqisë e cila kërkoi të kontaktonte me homologët në Tiranë. Pas disa orësh situata është sqaruar, dhe shoferi është lënë i lirë të vijojë rrugën, por çantat me pasaporta u bllokuan në Kakavijë deri në mbëritjen e punonjësve diplomatikë të autorizuar për tërheqjen e tyre.
Sipas Konventës së Vienës, dy janë rrugët për transportimin e materialeve diplomatike, përmes pakove diplomatike me avion si kargo ajrore dhe në rrugë tokësore me makinë me targa CD të shoqëruar me një korrier diplomatik.
Panorama ka kontaktuar me konsullin në Janinë, Pervin Gjikuria, i cili tha se nuk ka qenë postë diplomatike. “Është vetëm një proces i cili është në vijim dhe që do të zgjidhet për shumë pak kohë. Nuk kemi të bëjmë me sekuestrim, por vetëm me verifikim. Sepse ka një procedurë të caktuar se si kalojnë dokumente të kësaj natyre nga një shtet në një shtet tjetër. Nuk ishte postë diplomatike, nuk ka asgjë për tu shqetësuar”, ka thënë Gjikuria.
Por skandali nuk përfundon këtu. Pasi një zyrtar i ambasadës shqiptare në Athinë tërhoqi në Kakavijë ngarkesën e pasaportave, makina ku ato ndodheshin u vodh në një parkim atje, dhe një pjesë e pasaportave kanë humbur.
Përveç të tjerash është një kosto e madhe për emigrantët, të cilët kanë paguar nga 150 euro për të marrë pasaportat dhe është e paqartë se kush do të paguajë për riprodhimin e tyre.