Autorët janë përgatitur për disa javë për kryerjen e atentatit ndaj Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos në autostradën Vlorë-Fier, për ta finalizuar pasditen e së enjtes.
Grupi hetimor beson se dy viktimat kanë qenë në vëzhgim për disa kohë dhe gjatë kësaj periudhe janë siguruar edhe mjetet për vrasjen.
Verifikimet treguan se makina tip “BMW” e gjetur e djegur pas atentatit është grabitur javë më parë në zonën e Shijakut, raporton Klan.
Ndërkohë që me shpresën e sigurimit të ndonjë pamje të autorëve, grupi hetimit po vijon të sekuestrojë pamje të kamerave të sigurisë në qytetin e Vlorës dhe bizneset në hyrje të autostradës.
Nga rindërtimi i skenës së ngjarjes, besohet se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Makina e autorëve i ka ndjekur nga pas dhe jo më shumë se 100 metra pa shkuar te mbikalimi Panajasë, i kanë hyrë në parakalim dhe kanë nisur të qëllojnë.
Të shtënat anësore kanë zgjatur pak metra dhe më pas janë përqëndruar në xhamin e parë të makinës së viktimave deri sa ajo përfundon në kanal.
