Krahas vrasësve me pagesë të cilët e kanë profesion këtë punë, grupet shqiptare janë përpjekur të përfshijnë edhe të huaj që kanë shërbyer në strukturat policore apo ushtarake. Efthymoius Eftthymiou (Eftimius Eftimiu) dikur kishte qenë një oficer i lartë policie në shtetin grek. Emri i tij u bë i njohur në Shqipëri, gjatë hetimeve për zbardhjen e vrasjes së shtetasit Dejvi Kasmi, i. cili mbante edhe emrin Dëfrim. Ngjarje kjo e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 29 janar 2018, në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’ në Tiranë, gjatë momentit kur viktima po kthehej në apartamentin tij, pasi kishte dalë nga palestra.
Oficeri grek i policisë, i cili në këtë ngjarje, sipas grupit hetues shërbeu si tërheqësi i këmbëzës së armës që qëlloi ndaj Dejvi Kasmit, u tradhtua nga një kamera sigurie në zonë. Ai u pa të largohet nga vendi i ngjarjes me një furgon të bardhë të përdorur në vrasje, gjë që çoi në gjurmimin e tij nga ana e policisë. Menjëherë pas konstatimit të një furgoni të dyshimtë pranë vendit të krimit, oficerët e policisë, mbajtën në vëzhgim shtetasin Elton Halipaj, kjo për faktin pasi ai rezultonte të ishte blerësi i furgonit.
Sipas grupit hetues Devi Kasmi u ekzekutua në Tiranë, nga dy persona me motoçikletë, që qëlluan mbi 41-vjeçarin, pesë herë, në kokë dhe në trup. Por ish-oficeri i policisë greke, Eftimius Eftimiu, nuk mundi t’i shpëtonte gjatë ndjekjes së policisë. Identifikimi i Eftimiut u bë nga kamerat e sigurisë ku duket një furgon i bardhë me të cilin ata afrohen pak momente para se të vritej Kasmi dhe më pas largohen me të njëjtin mjet. Siç u mësua edhe më pas, porositës i vrasjes doli të jetë Aurel Hoxhallari. Edhe sot dyshimet janë se shkak për këtë eliminim u bënë përplasja midis grupeve kriminale, ku dyshohet se Hoxhallari pagoi për ekzekutimin e Kasmit duke kontaktuar ish-komandon grek.
Por rasti i Eftimius Eftimiut nuk ishte i vetmi i të huajve që pranojnë pagesa në këmbim të vrasjeve në Shqipëri. Salvatore Letizia ishte një napolitan i sprovuar në krime në shtetin italian. Deri para se emri i tij të bëhej i njohur në Shqipëri për një nga ngjarjet më bujshme që atë kohë tronditi Tiranën. Bëhet fjalë për atë që edhe sot njihet si masakra e Bulevardit ‘Zogu i Parë’, ku më 27 Maj 2015, ndërsa kryeqyteti po përgatitej të priste presidentin serb Alaksandër Vuçiç, në krahun tjetër të zgjatimit të Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, një përplasje me armë midis dy grupeve kriminale, prodhoi plot tre të vrarë.
Njëri nga atentatorët rezultoi të ishte Salvatore Letizia, i datëlindjes 1981, banues në Marcianise (Marçianize), me shtetësi italiane, i pa dënuar më parë. Si pasojë e ngjarjes mbetën të vrarë Mentor Lufi që mbante edhe mbiemrin Doçi, Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku, por gjithçka thuhet se nisi fillimisht në Hollandë, aty ku konflikti kishte nisur fillimisht midis Mentor Lufit dhe vëllezërve Durim dhe Besnik Sulku.
Personazhe këta të lidhur me narkotrafikun, të cilët udhëtonin shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit në këtë vend, por që prishja e pazareve të drogës duket se tronditi fort shoqërinë e tyre. Megjithatë akti i parë i përplasjes së tyre të vërtetë me armë do të luhej më dhjetor të vitit 2014, në Tiranë, pranë stadiumit ‘Dinamo’ ku mbeti i plagosur Mentor Lufi. Ai dyshoi se autorët e plumbave ndaj tij ishin pikërisht vëllezërit Durim dhe Besnik Sulku. Vetëm disa muaj pasi u plagos në atentat, sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, Mentor Lufi që siç thamë mbante edhe mbiemrin Doçi, organizoi këtë herë nipërit e tij Markeljan dhe Klejvi Doçi, për t’u hakmarrë ndaj vëllezërve Sulku.
Ky atentat do të vinte në muajin prill të vitit 2015, këtë hërë në qytetin Ridderkerk të Holandës. Sipas autoriteteve holandeze dy vëllezërit Doçi, në këtë rast nipat e Mentor Lufit, qëlluan me armë Durim Sulkun, i cili humbi jetën ndërsa gjendej në një automjet tip Smart, kur u qëllua disa herë për vdekje me pistoletë nga Markeljan dhe Klejvi Doçi. Por ndërsa pritej që hakmarrja e fisit Sulku të vononte, ajo erdhi më e shpejtë se ç’mendohej. Menjëherë pas atentatit që kryen në Holandë, vëllezërit Doçi u kthyen në Shqipëri me qëllim për t’iu shmangur autoriteteve holandeze.
Vetëm një muaj pas atentatit të fundit të kryer në Holandë, Mentor Lufi dhe dy nipat e tij Markeljan dhe Klevi Doçi, dhe miku i tyre Gerti Goxhaj, u gjendën të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë, në zonën e Bulevardit ‘Zogu i Parë’ në kryeqytet.
Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetimor, pasi u ngritën nga lokali, ata u ngjitën në dy automjete të ndryshme. Konkretisht Mentor Lufi ishte pasagjer në mjetin e drejtuar nga Gerti Goxhaj; ndërsa vëllezërit Markeljan dhe Klejvi Doçi, vinin fill pas tyre me një automjet tjetër, ku në timon ishte Markeljan Doçi.
“Më datë 27 Maj 2015, rreth orës 18:00, shtetasit Mentor Lufi (alias Mentor Doçi), Gerti Goxhaj, Markeljan Doçi, Klejvi Doçi, D.B dhe A. L, kanë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit, teksa qëndronin në një lokal që ndodhet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, përballë Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’. Pas pak ata kanë dalë jashtë ambienteve të lokalit dhe kanë hipur në makina të cilat ishin të parkuara pranë lokalit. Në makinën ‘Tuareg’, me targë AA 097 KE, kanë hipur Markeljan Doçi dhe Klejvi Doçi, në automjetin tip BMË, kanë hipur Mentor Lufi (alias Mentor Doçi) dhe Gerti Goxhaj, ndërsa personat e tjerë janë larguar me një automjet tjetër ‘Range Rover’”, thuhet në dosjen hetimore.
Por sapo janë ngjitur nëpër makinat e tyre, në dy pjesët anësore të automjetit të parë ku ndodheshin Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj, vihet re teksa afrohen dy persona të maskuar, të armatosur, të cilët nisin të qëllojnë menjëherë mbi dy personat që ndodheshin në vendet e para të makinës.
“Dy automjetet, ‘BMW’ dhe ‘Tuareg’, kanë lëvizur ngadalë njëri pas tjetrit. Përpara ka qenë automjeti tip ‘BMW’ i cili drejtohej nga Gerti Goxhaj dhe pasagjer Mentor Doçin. Në momentin që kanë filluar lëvizjen në bulevardin ‘Zogu i Parë’, pranë makinës ‘BMW’ janë afruar me shpejtësi dy persona të maskuar me pistoleta në duar. Në një distancë rreth një metër nga automjeti tip ‘BMW’, të dy personat kanë filluar të qëllojnë në drejtimin ku ishte ulur Mentor Doçi. Si pasojë e të shtënave me armë, i pari që humbi jetën në vendngjarje, ishte drejtuesi i mjetit Gerti Goxhaj. Ndërsa i plagosur rëndë mbeti Mentor Lufi, i cili ndërroi jetë vetëm disa minuta më pas”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ndërsa dy atentatorët lanë të vdekur Mentor Lufin dhe Gertin Goxhajn, Markelian Doçi i cili vinte pas me makinën e tij, përplasi fillimisht me automjetin e tij një nga ekzekutorët.
Ky atentator rezultoi se ishte Salvator Letizia. “Markeljan Doçi i cili drejtonte automjetin ‘Tuareg’ që ndodhej prapa në një distancë të afërt, i ka dhënë shpejtësi makinës duke e drejtuar drejt dy personave të maskuar. Ai ka arritur të godasë me parakolpin e makinës njërin nga personat që ishte me armë dhe konkretisht, Salvatore Letizian. Ky i fundit është ngritur në këmbë dhe ka lëvizur me shpejtësi në një rrugicë të afërt për t’u mbrojtur dhe njëkohësisht për t’u larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosje.
Por ndërsa Salvatore Letizia u largua nga vendngjarja, përplasja me armë vazhdoi midis Markeljan Doçit dhe atentatorit të dytë të maskuar, që rezultoi të ishte Besnik Sulku, vëllai i Durim Sulkut të ekzekutuar një muaj para këtij atentati në Holandë. Ai nisi të qëllojë me armë në drejtim të Markeljan dhe Klevi Doçit, por pa mundur t’i shënjestrojë. I gjendur në sulmin e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur, reagoi duke qëlluar me pistoletë. Përplasja me armë që vazhdoi për disa minuta, ku vetëm pak metra nga automjetet, mbeti i vrarë Besnik Sulku.
“Klejvi Doçi dhe Markeljan Doçi sapo ka ndaluar mjeti, kanë zbritur prej tij. Klejvi ka qëndruar pa kryer veprime ndërsa vëllai i tij, Markeljan Doçi ka nxjerrë një pistoletë që e mbante pa leje dhe është vënë në ndjekje të njërit prej personave që kishte qëlluar dhe konkretisht të Besnik Sulkut që ishte duke u larguar me vrap. Ndërkohë që viktima Besnik Sulku po lëvizte për t’u larguar me armën e krimit në dorë, ku rezulton se në atë moment krëhëri i armës së tij nuk mbante fishekë, ai është qëlluar disa herë nga Markeljan Doçi”, sqarohet në dosje.
Por ajo që surprizoi grupin hetues, ishte fakti se atentatori i dytë në këtë masakër, nuk ishte shqiptar, por një shtetas italian. Ai ishte Salvatore Letizia, i cili u arrestua në një hotel fare pranë zonës ku ndodhi masakra. Gjykata e Krimeve të rënda e dënoi Salvatore Letizzian për vrasjen e Mentor Lufit dhe Gerti Goxhaj, më 27 maj 2015, me burgim të përjetshëm. Ndërsa vëllezërit Markelian dhe Klevi Doçi, u dënuan respektivisht me 27 dhe 20 vite burgim. /News 24/