Analisti Skënder Minxhozi, u pyet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Metën nga posti i Presidentit. Ai e cilëson Metën një President të keq.
Pjesë nga intervista:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e la në detyrë Presidentin dhe rrëzoi qëndrimin e mazhorancës për shkeljet e rënda të pretenduara. Çfarë komplikimesh mund të sjellë ky vendim në të ardhmen për Presidentin e ri?
Minxhozi: Kemi një akt të nevojshëm pavarësie të një gjykate të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese, por kemi një vendim që na la në zyrë edhe për pak muaj një President të keq. Mendoj që është më mirë që të kemi një “Kushtetuese” që i thotë jo një mazhorance sesa t’i shkurtohej Metës kontrata e punës për 4 a 5 muaj. Po mbyll mandatin një president që nuk duhet të jetë më në atë zyrë. Akti i gjykatës krijon një precedent pavarësie të këtij paneli, sepse edhe rezultati nuk është i ngushtë.
Ky vendim do ta shtyjë shumicën që ta rikonceptojë pozicionin e presidentit në të ardhmen?
Minxhozi: Mendoj që Presidenti e ka shkelur hapur Kushtetutën. Me të dyja këmbët. Të gjithë e kanë të qartë që ka qenë një President i një pale, i popullit të 2 marsit, pra me opozitën. Është një President që ka shkelur një pikë të Kushtetutës në mënyrë flagrante.