Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka realizuar sondazhin e dytë online lidhur me informimin e qytetarëve në procesin e vetingut, por dhe besueshmërinë ndaj tij.
Nga 416 personat që i janë përgjigjur sondazhit online, kanë njohuri lidhur me procesin për shkak të pasqyrimit në media. Por rreth 63% e tyre janë mosbesues ndaj vetingut. Pyetjes “A e keni ndjekur procesin dhe a keni besim se ky proces është i drejtë, nisur nga rezultatet e arritura?” , deri më tani, pjesa më e madhe i është përgjigjur negativisht. Rreth 63 % e të intervistuarve është mosbesuese ndaj Vettingut dhe rezultateve të tij deri më tani.
Për të shkuar më në detaje të këtij qëndrimi, sondazhi vijon me një tjetër pyetje: “A mendoni se Vettingu do të pastrojë vërtetë sistemin e drejtësisë dhe do ta bëjë këtë sistem më të besueshëm për qytetarët?”. Edhe në këtë rast, pjesa më e madhe e publikut është pesimiste, përkatësisht 2/3 e të intervistuarve ndërkohë që 1/3 e tyre janë optimistë për rezultatet dhe impaktin e këtij procesi.
Rezultatet e këtij sondazhi kanë pasur një numër të madh komentuesish. Sikurse në përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të sondazhit, edhe në komentet e tyre bie në sy, që shumica e personave janë mosbesues ndaj procesit të Vettingut. Kjo për disa arsye. Për një pjesë të komentuesve, vettingu ka ndikime të natyrës politike për të goditur kundërshtarët. Për një komentues i gjithë procesi është “formal”. Në lidhje me zhvillimin e procesit ka vërejtje për sa i takon ritmeve e tij të ngadalta dhe faktit se, kryesisht, është përqendruar te komponenti i pasurisë, duke anashkaluar 2 komponentët e tjerë shumë të rëndësishëm, përkatësisht komponentin e figurës dhe të aftësive profesionale. Për komentues të tjerë ata gjyqtarë, apo prokurorë që janë konsideruar gjithmonë “të paprekshëm”, vazhdojnë të mbeten të tillë, pavarësisht Vettingut. Një bindje e tillë përforcohet nga një komentues tjetër, sipas të cilit në kontrollin e figurave përdoren “standarde të dyfishta” si në rastin e disa subjekteve, të cilët edhe pse nuk e kanë justifikuar pasurinë, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë.
Ndërkaq, edhe pse në pakicë, ka shumë qytetarë që shprehen optimistë, duke besuar që ky proces do ndikojë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe rezultatet e tij do të kontribuojnë në drejtim të çeljes së negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian, për tu integruar në këtë të fundit. Ka të tjerë të cilët shpresojnë në këtë proces, për të vendosur në vend drejtësinë e munguar si dhe kërkojnë gjithashtu sekuestrimin e pasurive të pamerituar të njerëzve të drejtësisë të larguar nga vettingu. Një pjesë e optimistëve të vettingut kërkojnë ritme më dinamike dhe të shpejta të tij, pasi në këtë periudhë tranzitore ata referojnë se ka gjyqtarë dhe prokurorë që po vijojnë ta shpërdorojnë pozitat e tyre zyrtare, duke dhënë vendime haptazi të padrejta dhe nën ndikimin e korrupsionit. Në radhët e optimistëve ka edhe skeptikë të cilët edhe pse shohin rezultate pozitive, shprehin frikën se krimi dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht në vend mund të kapë edhe sistemin e ri të drejtësisë.