Moderatorja e emisionit Sonila Meço, përmes një postimi në Facebook është shprehur se sonte nuk do jetë live si çdo të martë në emisionin “Tempora”.
Sipas gazetares, shkak është bërë një virozë stinore dhe për të mbrojtur stafin e emisionit dhe të ftuarit ka zgjedhur ta bëjë pushim.
Gjithësesi, shikuesit e RTV Ora do të kenë mundësi të ndjekin një analizë profesionale mbi pandeminë Covid-19 në Shqipëri dhe Europë dhe një investigim mbi faktin se ndërtimi është kthyer në “lavatriçen” gjigante të pastrimit të parave.
“Me shumë dashuri nga Tempora:
Në kohë virozash, çdo kujdes për veten është kujdes edhe për tjetrin.
Ndaj sonte nuk do të jem live si çdo të martë me Tempora, duke i dhënë vetes kohë për të pushuar e kuruar një virozë stinore dhe për të mbrojtur stafin, bashkëpunëtorët e të ftuarit e mi.
Gjithsesi jemi kujdesur mos t’ju mungojë programi juaj, me një analizë tejet profesionale mbi covid-19 në Shqipëri dhe Europë, vëzhgimet në terren.
“Lavatriçja” gjigande e pastrimit të parave në ndërtim dhe faktet e shifrat konkrete në këtë prag fushate elektorale.
Humori, monologu i Ermir Jonkës e memet e Genc Sejkos…
Na ndiqni e deri të martën tjetër kujdesuni për veten, shëndetin, të dashurit tuaj!”, shkruan gazetarja.