Presidenti Bajram Begaj priti sot të Ngarkuarin me Punë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili i dorëzoi Raportin e Progresit për vitin 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Kreu i shtetit vlerësoi konkluzionet e balancuara dhe inkurajuese të Raportit të Komisionit 2023 për Shqipërinë dhe Planin e Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e tij të palëkundur për institucionet shqiptare në përmbushjen e prioriteteve.
“Shqipëria është e angazhuar për krijimin e një ekonomie funksionale, e cila mund të ndihmojë përmirësimin e integrimit të plotë të vendit tonë në tregun e vetëm të BE-së. Ne i vlerësojmë thellësisht përpjekjet e Komisionit Evropian për ta përshpejtuar integrimin ekonomik përmes Planit të Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Në cilësinë time si President i Shqipërisë dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë se do të vazhdoj të jem i angazhuar për avancimin e procesit të integrimit europian, i cili mbetet objektivi ynë kryesor kombëtar”,-tha Begaj.