Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, ndërsa e cilësoi këtë festë si një ditë që rrezaton përtej komunitetit mysliman.
Toleranca mes komuniteteve fetare në Shqipëri është një realitet dhe jo thjesht një slogan shtoi ajo teksa theksoi se Komuniteti Mysliman është një faktor progresi që nxit harmoninë fetare dhe shmang përçarjen.
“Kjo është një ditë që rrezaton përtej komunitetit mysliman. Gjej rastin të uroj të gjithë shqiptarët në Shqipëri e diasporë, në trevat shqiptare, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës në Greqi e kudo, sepse festat i kemi ndarë me njëri tjetrin pavarësisht besimit fetar.
Është një dëshmi e qartë sesi toleranca mes komuniteteve është një realitet dhe jo slogan. Uroj Komunitetin Mysliman Shqiptar, një komunitet që rrezaton këtë tolerancë duke qenë një faktor progresi që nxit harmoninë fetare dhe jo përçarjen, një komunitet që mundohet ti bashkojë të gjithë rreth festave”, tha ajo në një prononcim të shkurtër për mediat.