Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot një mbledhje të jashtëzakonshme për të miratuar ndryshimet në qeveri, të cilat kanë marrë miratimin e Presidentit Meta. Mbledhja është kërkuar nga kryeministri Edi Rama përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit. Rama shkruan se motivi i kërkesës së mbledhjen e jashtëzakonshme sotme në orën 17:00 lidhet me shqyrtimin dhe miratimin e dekreteve për lirimin dhe emërimin e ndryshimeve në qeveri.
“Motivi i paraqitjes së kësaj kërkese lidhet me shqyrtimin dhe miratimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të disa ministrave, në kuadër të ristrukturimit organik të qeverisë, për zgjerimin e objektivave të qeverisë në frymën e reformimit, përmirësimit dhe transformimit të shërbimeve, zgjerimin e kapaciteteve dhe rritjen e efikasitetit të punës”, thuhet në letrën e kryeministrit Rama drejtuar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçit.
Ndërkaq, pas letrës së kryeministrit Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka urdhëruar mbledhjen e Kuvendit në sesionin e jashtëzakonshëm. “Urdhër nr. 1, date 15.1.2019 për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm. Bazuar në nenin 74, pika 3 të Kushtetutës dhe nenin 42, pika 2, të Rregullores se Kuvendit, me kërkese të Kryeministrit, urdhëroj: I. Mbledhjen e Kuvendit ne sesion te jashtëzakonshëm në datën 16.1.2019, ora 17.00.
Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të sesionit të jashtëzakonshëm, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim. Ndonëse fillimisht PD nëpërmjet kreut të grupit parlamentar Edmond Spaho e cilësoi antikushtetuese këtë seancë të jashtëzakonshme, me sa duket ka vendosur të jetë në sallë. Mesohet se PD do të marrë pjesë sot në seancën plenare të jashtëzakonshme.