Në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së. Takimi do të fokusohet në rrugën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Ai gjithashtu do të trajtojë çështjet aktuale dhe do të synojë zbutjen e tensionit aktual në terren, thuhet në njoftim.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.
Të mërkurën Albin Kurti zhvilloi takime me Miroslav Lajçak, dhe më të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg. Takimi Kurti-Vuçiç vjen vetëm 13 ditë para 1 shtatorit, datë kur do të nis zbatimi i reciprocitetit me dokumente me Serbinë.
NATO ka shtuar praninë e forcave të KFOR-it në veri të Kosovës dhe është gati të ndërhyjë nëse rrezikohet siguria apo përshkallëzon situata. Ishte kjo porosia dhe garancia e qartë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Po ashtu ai konfirmoi se situata po monitorohet nga afër në terren dhe shprehu gatishmërinë për dërgimin e më shumë forcave të tjera në ndihmë të KFOR-it nëse do të jetë e nevojshme.