Të hënën nisin aplikimet për regjistrimet e fëmijëve në çerdhe publike dhe prindërit do të kenë kohë për të paraqitur dokumentacionin brenda javës deri më 7 qershor, për objektet e kujdesit dhe edukimit pranë banesave ku jetojnë të njësive bashkiake që ju përkasin.
“Duhet të kenë me vete dy certifikata, të fëmijës dhe familjaren, gjithashtu edhe vërtetimet e punës, për shkak se kemi çerdhe që kanë numër të lartë aplikimesh dhe fillimisht ju japim të drejtën për regjistrim atyre fëmijëve që prindërit i kanë në punë dhe i kanë më të nevojshëm. Kjo kategori shoqërohet edhe me fëmijët e tjerë të kategorive prioritare, si fëmijët me aftësi të veçanta, apo që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Por kjo nuk do të thotë që fëmijët që nuk i kanë prindërit në marrëdhënie pune, nuk e kanë të drejtën të marrin shërbimin. Të gjithë duhet të socializohen dhe në varësi të hapësirave, do bëhen regjistrimet”, tha Zhaneta Beqiri- drejtoresha e çerdheve dhe kopshteve, Tiranë.
