Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) pritet të zhvillohet sot më 17 nëntor 2025, seanca paraprake për çështjen penale që përfshin Ilir Metën, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, si edhe Pirro Xhixhon e Ema Çokun.
Seanca e mëparshme, e parashikuar më 11 nëntor, u shty pasi avokati i Metës, Kujtim Cakrani, kërkoi largimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi.
Cakrani, i cili u largua nga salla, argumentoi se gjykata duhet të vendosë fillimisht mbi kërkesën e paraqitur prej tyre për konflikt interesi, duke pretenduar se gjyqtarja po hetohet nga SPAK pas akuzave të Sali Berishës për një dënim të supozuar të fshehur në Greqi.
Ai kërkoi gjithashtu që dosja të kthehet për hetim shtesë, duke pretenduar se SPAK ka vepruar në kundërshtim me procedurën kur ka paraqitur një provë të re lidhur me lobimin e LSI-së në SHBA, ndonëse hetimet zyrtarisht ishin mbyllur që më 28 korrik.
Monika Kryemadhi, pas daljes nga gjykata, përsëriti se materiali i ardhur nga SHBA nuk përbën provë të re, por thjesht një përgjigje ndaj letërporosisë së dërguar një vit më parë. SPAK i paraqiti këto dokumente në seancën e fundit të fazës paraprake, duke kujtuar se në dosje janë bashkuar tre hetime: afera CEZ–DIA, lobimi në SHBA dhe verifikimi pasuror.
Ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, ndërsa Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion të funksionarëve të lartë në bashkëpunim. Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku përballen me akuzën e pastrimit të parave.
Ilir Meta vijon të qëndrojë në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën “detyrim paraqitje”.
