Në 34-vjetorin e 8 Dhjetorit, Kreshnik Spahiu, vlerësoi ndryshimet që solli lëvizja studentore dhe përmbysja e regjimit komunist, por kritikoi ashpër klasën politike të pas viteve ‘90.
Ai e cilësoi hapjen e Shqipërisë një arritje historike, megjithatë jo meritë e politikanëve vendas, por rezultat i presioneve ndërkombëtare. Spahiu ironizoi Berishën dhe Metën, duke i krahasuar me figura të tranzicionit të stërzgjatur, të cilët, sipas tij, mund të mbeten në pushtet për dekada, ashtu si Enver Hoxha.
“U përpoqëm në dhjetor të përmbysnin regjimin, për të përmbysur në shkurt bustin e diktatorit. Sot kemi Berishë dhe Metën që kanë 34 vite, që do shkojnë me mandatin e ri 40 vite sa Enver Hoxha. Kemi prodhuar Enver Hoxha të rinj, mendoj se do shkojnë më gjatë, aq sa do u japi mundësi Zoti të jetojnë biologjikisht.
Progresi është relative. Shqipëria nuk është ajo e tollonave. Nuk është ajo ku rihej në radhë për çdo gjë. Progresi më i madhe është hapja. Por nuk ndodhi për meritë të Metës apo Berishës. U hapën gjithë vendet e Europës Lindore. Nuk mund të qëndronte bunker. Ishte presioni ndërkombëtar. Interesat e superfuqive. Nëse ka një arritje, shpëtuam nga izolimi. Dhe sot shqiptarët jetojnë dhe punojnë atje ku u intereson. Jetojnë kudo. Kjo nuk është për meritë të ndonjërit. Një Shqipëri e izoluar sot e njohin miliona e miliona. Për shkak të burimeve natyrore, për shkak të klimës’, thotë Spahiu.