Mbledhja e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës në Prishtinë, vijon të ketë jehonë. Juristi Kreshnik Spahiu e cilësoi edhe fjalimin e kryeministrit Albin Kurti si të ftohtë, madje shumë më larg edhe se kryeparlamentares Elisa Spiropali.
“Po t’i referohesh fjalimit të Elisa Spiropalit, fliste më shumë për bashkimin kombëtar shqiptar, sesa fjalimi i Albin Kurtit. Edhe Vjosa Osmani foli më shumë se Kurti për bashkim kombëtar. Kurti para 4 vitesh i premtoi këto, një shtet, një flamur etj., por në fjalimin e tij i përmendi më pak se të tjerët, madje edhe se Glauku (Konjufca)”, shprehet Spahiu. Pse nuk pati komunikim mes dy kryeministrave dhe letra që i dërgoi Kurtit kryeministri Rama, si e komenton juristi këtë detaj?
“Rama e ka bërë të qartë se Kurti s’i kthen mesazhet dhe zgjodhi mesazh me letër dhe ishte e veçantë se Vetëvendosja dhe Kurti s’u ngritën për duartrokitje, sepse prisnin elozhe e lavde. Të gjitha komunikimet private kanë përfunduar, kanë vdekur, nuk ekziston dhe këta mundohen t’i japin mesazhet publike. Të kalosh në trojet etnike në Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, e të japësh mesazhe pa konsulencën e partnerëve ndërkombëtarë është e pamundur, patjetër që konsultohen”, tha juristi.