Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur sot në mëngjes një operacion të gjerë në Nikël, Fushë-Krujë, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”. Operacioni është duke vijuar dhe përfshin kontrolle në banesa të ndryshme.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raporton se autoritetet kanë lëshuar disa urdhër-arreste për disa persona, përfshirë Rexhep Rrajen, djalin e një ish-deputeti socialist, Rrahman Rraja. dhe disa të tjerë të lidhur me këtë grup. Grupi “Rraja” ka qenë në fokus të institucioneve prej vitesh, për dyshime lidhur me aktivitete të ndryshme kriminale.
Sipas burimeve, personat e përfshirë dyshohet të jenë të përfshirë në trafik droge dhe operacioni i sotëm synon goditjen e të gjitha hallkave të aktivitetit të tyre kriminal. Kontrolli i banesave dhe procedurat e tjera janë ende në zhvillim dhe pritet të përfundojë gjatë ditës.
Operacioni vjen pas hetimeve të gjatë dhe synon goditjen e një prej grupeve më të njohura kriminale në zonën e Fushë-Krujës.
