SPAK-u ka shtyrë për javën e ardhshme marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Prokuroria e Posaçme kishte parashikuar që sot të pyetej Malltezi, ndërsa të enjten Sali Berisha.
Të dy ishin njoftuar nga SPAK për t’u marrë në pyetje, por avokatët e palëve kërkuan shtyrjen për shkak të angazhimeve. Kërkesat e tyre u pranuan nga ana e SPAK-ut, dhe marrja në pyetje do të bëhet javën e ardhshme. Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi po hetohen për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Të dy janë me masë sigurie “arrest shtëpie”.
Që prej 30 dhjetor 2023, Sali Berisha është në izolim, pasi ka masën e sigurisë ”arrest shtëpie”. Avokatët e tij kanë bërë kërkesë në SPAK që Berisha të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend. Kërkesa u është dorëzuar dy prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Minollai. Ata argumentojnë se është një drejtë dhe detyrim kushtetues për të përmbushur detyrën.
