Lufta e deklaratave dhe ofendimeve midis Barcelonës dhe Federatës Spanjolle të Futbollit vijon dhe në qendër të mosmarrëveshjes është Lamine Yamal. Federata ka vendosur përjashtimin e yllit katalanas të futbollit, nga ndeshjet e ‘La Roja’ kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë. Përjashtimi i 18-vjeçarit ka ndodhur për shkak të një kontrolli të paautorizuar për një dëmtim pubik që iu nënshtrua numri 10 i Blaugranave dhe klubi nuk e ka informuar paraprakisht stafin mjekësor të ekipit kombëtar.
“Shërbimet Mjekësore të RFEF dëshirojnë të shprehin habinë dhe zhgënjimin e tyre pasi mësuan në orën 13:47 të së hënës, më 10 nëntor, ditën e fillimit zyrtar të kampit stërvitor të ekipit kombëtar, se lojtari Lamine Yamal i ishte nënshtruar një procedure invazive me radiofrekuencë po atë mëngjes për të trajtuar dhimbjen e tij pubike.
Kjo procedurë u krye pa njoftim paraprak të stafit mjekësor të ekipit kombëtar, i cili mësoi për këtë vetëm përmes një raporti të marrë në orën 22:40 mbrëmë, i cili rekomandonte një pushim 7-10 ditor. Përballë kësaj situate dhe duke i dhënë përparësi në çdo kohë shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies së lojtarit, Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur ta përjashtojë lojtarin nga ky grumbullim. Ne besojmë në shërimin e tij të mbarë dhe i urojmë një shërim të shpejtë dhe të plotë”, thuhet në deklaratën e Federatës Spanjolle.
“Lufta” midis ekipit kombëtar spanjoll dhe Barcelonës nisi gjatë pushimit të parë ndërkombëtar të sezonit, kur Yamal u rikthye i lënduar dhe u detyrua të humbiste katër ndeshje me katalanasit, duke shkaktuar ankesa nga Hansi Flick.
“Ai u largua nga këtu tashmë gjysmë i lënduar. I dhanë qetësues dhimbjesh dhe ai luajti 73 dhe 79 minuta kundër Bullgarisë dhe Turqisë. Dhe midis ndeshjeve, ai nuk u stërvit. Kjo tregon mungesë kujdesi për lojtarët”, tha trajneri i katalanasve.
