Gjoni Rica e ka nisur profesionin e bukur të peshkatarit 43 vjet më parë, në verën e vitit 1976, atëherë kur ai ishte 25 vjeç. Ka drejtuar me profesionalizëm për shumë vite brigadën e peshkimit në qytezën e Ulzës, ndërkohë ne vitin 1991 ndërmarrja u shkatërrua dhe për 28 vite ai u dergj teksa dallonte shfarosjen totale të peshkut. “Peshkatarë” amatorë bënin kërdinë me dinamit, rrymë elektrike e mjete të tjera rrethanore. Sakaq Gjoni nuk kishte asnjë mundësi ta për ta ndalur masakrën.
Gjatë rrëfimit të tij peshkatari i njohur në trevën e Ulzës e më gjërë thotë se në vitin 1976 ishte ngritur agjensia e peshkimit, ndërkohë tre vjet më vonë ngrihet dhe funksionon deri në vjeshtën e vitit 1991 Ndërmarrje e Peshkimit Ulëz.
“Askokohe ndërmarrja kishte 120 punonjës, 65 peshkatarë të ndarë në grupe dhe pjesa tjetër administratë, shoferë, mirëmbajtës, roje, etj. Nxirrnim nga liqeni mbi 1500 kuintal peshk në vit. Me urdhër nga “lart” fillimisht furnizonim minierat e kromit në Bulqizë, Batër, Krastë, pastaj ndërmarrjet e tjera në Burrel, Klos e gjetkë”, shprehet Gjon Rica.
Mjeshtri i peshkimit thotë se gjuetia kryhej kryesisht natën dhe prodhimi ishte i bollshëm. Nuk bëhej fjalë për gjueti me dinamit, rrymë elektrike, shigjeta, apo mjete të tjera të ndaluara.
Duke folur me pasionin për profesionin e tij peshkatari saktëson se çdo vit hidheshin në Liqenin e Ulzës të paktën një milion e 300 mijë peshq të vegjël, rasat, kryesisht ballgjan, krap, nil, mëlygj, omur, etj.
Jeta për peshkatarin e palodhur merr kthesë në vitin 1991, kohë kur ish Ndërmarrja e Peshkimit shkrihet dhe peshkimi merr tjetër rrjedhë.
Asetet e ndërmarrjes së njohur dalin jashtë përdorimit, vidhen dhe shiten me çmime qesharake. Gjithçka merr fund. Tani peshkimi merr tjetër rrjedhë. Gjuetarët e pandershëm nuk lënë mjet pa përdorur për të mbledhur peshqit e mbetur në basen. Mjetet që ata përdornin lëndonin pa masë Gjon Ricën. Ai dallonte se nuk bëhej fjalë për shtimin e peshkut në Ulëz, por shfarosje totale të tij.
“Për vite me radhë jam traumatizuar me çfarë shihja dhe nuk kisha mundësi ta frenoja. Disa gjuanin me dinamit, ditën dhe natën. Të tjerë përdornin gjeneratorë për të vrarë peshqit. Strukturat shtetërore nuk kishin fuqi të frenonin shkatërrimin e plotë të peshkimit”, thotë Rica.
Por çdo e keqe e ka një të mirë. Muaj më parë peshkatari i ndihmuar nga inxhinieri Artan Miza themelojnë Organizatën e Peshkimit Ulzës. Jo vetëm kaq. Ata marrin kredi, afro 12 milion lekë, dhe sigurojnë 100 mijë rasat peshku dhe e hedhin në liqen. Kjo ndodh pas 29 vitesh.
“Nuk ka patur gëzim më të madh për mua, thotë Rica, kur hodhëm rasatin në liqen. Pas dy vitesh do të prodhojmë të paktën 1000 kuintal peshk. Por çdo vit duhet të hedhim të paktën 190 mijë rastë të vegjël, që peshkimi të ringrihet. Mbi të gjitha ne kërkojmë, vijon kryetari i Organizatës së Peshkimit Ulëz, ndihmën e strukturave shtetërore për të ndalur gjuetinë e paligjshme dhe sidomos detyrimin e firmës “Kurum” që niveli i liqenit të mos ulet nën normat e lejuara, ndryshe peshkimi dëmtohet rëndë”.
Aktualisht Gjon Rica menaxhon Organizatën e Peshkimit Ulëz me 38 antarë që paguajnë kuotat dhe peshkojnë brenda normave të lejuara. Ai thotë se janë 13 grupe peshkimi që gjuajnë në liqen, ndërkohë bëjnë kujdes për të ndalur personat që tentojnë të gjuajnë në mënyrë të paligjshme. /tirananews.al/