Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditët e fundit pranë Kalasë së Stellushit, në Vig të Matit. Një mjet i tonazhit të lartë, eskavator, ka gërmuar rrëzë kalasë shekullore për të gjetur sende të çmuara.
Banorë të zonës i thanë Tirananews.al se para tri ditësh rastësisht kanë parë një mjet që po gërmonte në rrënojat e kalasë. Prej vitesh, u shprehën banorët e Vigut, njësia administrative Macukull, qarkullojnë legjendat se Skënderbeu ka zotëruar sasi të konsiderueshme floriri dhe se ata e ka fshehur pranë selisë, në qypa prej balte. Sipas tyre: “pak vite para rrëzimit të komunizimit një dibran teksa gërmonte për të grumbulluar rrënjë hidhri ka gjetur një sasi të madhe floriri dhe e ka dorëzuar atë menjëherë pranë Policisë Peshkopi”.
Gërmimet e fundit pranë kalasë janë kryer nga person që shfrytëzon mermerin në këtë zonë. Por banorët e auroritetet e ndalën aventurën për të gërmuar gjithë zonën përreth kalasë. Personi që guxoi të dhunonte objektin historik është shprehur se “disa netë më parë më doli në ëndërr babai dhe më tha: “shko gërmo në fund të kalasë sepse aty Skënderbeu ka fshehur disa qypa me flori”.
Sipërfaqja e gërmuar brenda pak orëve ishte mbi 200 metra katrorë. Tulla e enë balte, mbi 600, vjeçare kanë dalë në sipërfaqe. Po ashtu dalloheshin edhe eshtra që me siguri i përkasin periudhës së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.
Sapo është njoftuar Policia lokale kanë mbërritur shumë shpejt efektivë të saj në vendin e ngjarjes dhe kanë bllokuar punimet e paligjshme në këtë Monument Historik.



