“Paketa antishpifje ndan prerazi lajmin profesional nga haberet e moçalit”, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Spiropali tha se paketa nuk do të thotë kurrsesi kontroll ndaj fjalës së lirë, por një mburojë për medien dhe për të drejtën për informim, si dhe një mjet për të luftuar fake-news, shpifjet, dhe tregtarët e dizinformimit”.
“Kjo paketë e propozuar synon të disiplinojë nëpërmjet ndërhyrjeve në ligj shërbimet e medieve online, në një kohë ku sot më shumë se kurrë teknologjia dixhitale, kur e keqpërdorur, ka aftësinë të minojë deri dhe proceset demokratike, të shkelë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, ndaj është domosdoshmëri ndërtimi i një kornize ligjore në të njëjtën linjë zhvillimi me vendet dhe legjislacionet e Bashkimit Europian”, tha ajo.
Një demokraci e shëndetshme, sipas saj, “ka nevojë jetike për një media të lirë, të pavarur dhe mbi të gjitha të përgjegjshme”