Deputeti socialist Taulant Balla ka shpjeguar votën kundër të opozitës ndaj propozimit të PD për Srebrenicën. I ftuar në emisionin “Opinion”, Balla tha se asnjë dokument që mban firmën e Sali Berishës nuk do të jetë i vlefshëm për mazhorancën. Ai pohoi se sot nuk është votuar kundër një rezolute, por është diskutuar një kërkesë që mban firmat e deputetëve të PD në mocionin për debat.
Ai gjithashtu tha se u ka kërkuar nga opozita të heqë emrin e Berishës nga propozimi.
“Kërkesa ime ka qenë: Hiqeni emrin e Berishës. Edhe pse është non grata, edhe se është sikur t’i vrasësh për së dyti që kërkesën ta bëjë një njeri që ka çuar naftë në ndihmë të serbëve. Kërkesën ja kam bërë të ditur zotit Shehu. Nisur nga ky propozim për të krijuar një rrugë bashkëpunimi i kam thënë: Hajde ta bëjmë në datën 11 Korrik, që është shpallur si ditë përkujtimi për masakrën e Srebrenicës dhe aty të biem dakord së bashku”, tha Balla.
Kreu i grupit të PS tha se në 11 Korrik, kuvendi do të ketë një seancë përkujtimore për Srebrenicën.
“Në 11 Korrik është ditë e hënë, kuvendi i Shqipërisë do të ketë seancë të posaçme përkujtimore për Srebrenicën. I gjithë ky debat që bëhet sot është turpi i tij”,- u shpreh Balla.