Mendohej të ishte një ngjarje festive, por rezultoi totalisht e kundërt. Turneu i Lionel Messit në Indi nisi në mënyrë kaotike, ku incidente të shumta detyruan ndërprerjen e eventit pas një paraqitjeje shumë të shkurtër të yllit argjentinas.
Tifozët hodhën në fushë dhe në pistën e stadiumit stolat e impiantit, objekte të ndryshme dhe pushtuan zonën përreth fushës. Disa persona u ngjitën në gardhet rrethuese dhe shkaktuan dëmtime, përfshirë thyerjen e skenës së përgatitur për eventin. Messi, i rrethuar nga një numër i madh truprojash, qëndroi në stadium vetëm rreth 20 minuta përpara se të largohej.
Pas ngjarjes, kryeministrja e shtetit i kërkoi falje Lionel Messit dhe urdhëroi nisjen e një hetimi për të zbardhur përgjegjësitë dhe shkaqet e kaosit. Skenë atipike, duke parë që tifozët kanë ndërtuar statuja në nder të kampionit të botës, por edhe e pritën me festë e brohorima mbërritjen e tij.
Messi ndodhet në Indi në kuadër të një turneu promovues, gjatë të cilit pritet të marrë pjesë në koncerte, klinika futbolli për të rinj, një turne padel, si dhe të lançojë nisma bamirësie në disa qytete të mëdha.
