Mbrëmjen e sotme në orën 20:45 përveç kualiteteve të Francës, Shqipëria duhet të llogarisë edhe një stadium me kapacitet maksimal, i cili do t’i mbështesë dhe motivojë yjet e tyre për të bërë më të mirën. Ditën e sotme janë shitur edhe biletat e fundit të mbetura, ndërsa e veçanta është se në stadium do të jenë edhe disa tifozë specialë.
Kështu, 37 fëmijë të xhandarëve të rënë në praktikë, do të jenë në tribunat e stadiumit për të marrë një emocion ndryshe, duke ndjekur idhujt e ekipit Kombëtar.
Sakaq, është e konfirmuar se në stadium do të jenë edhe 1500 shqiptarë, të cilët do të përkrahin kuqezinjtë. Ndërsa, një pjesë e tifozëve të Shqipërisë, duke mos gjetur biletë në sektorin e përcaktuar, do jenë të shpërndarë në sektorë të tjerë.