Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë seancës së radhës gjyqësore për dosjen e “Sterilizimit” është ndalur dhe ka folur për Avokatin e ri të Popullit, Endrit Shabanin. Ai theksoi se Shabani, është iniciuesi i procesit ndaj tij dhe i pari në listën e dëshmitarëve.
“Procedimi penal nr. 13/2020 është regjistruar mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga personi që, sipas njoftimeve publike, para pak ditësh u zgjodh Avokat i Popullit në Shqipëri. Kallëzimi është bërë më 23 dhjetor 2019. Si sot, fiks 6 vjet me pare. Dhe sot ky person është ndër të parët në listën e dëshmitarëve të akuzës. Pra, sot kemi këtë paradoks: Ai që duhet të jetë zëri i qytetarit përballë pushtetit, del në rreshtin e akuzës; Ai që duhet të jetë garanci kundër arbitraritetit, shfaqet si pjesë e mekanizmit që e ushqen atë. Sipas deklarimeve të tij publike, ai është shprehur se është i lumtur që unë jam në pranga, edhe pse kjo nuk lidhet me kallëzimin e tij. Sipas po deklarimeve publike, ai ka qenë në dijeni se i njëjti fakt penal ishte hetuar më parë dhe ishte pushuar hetimi; megjithatë bëri kallëzim sërish pa asnjë provë të re. Ky nuk është “qëndrim”. Kjo është kulturë prangash. Ky nuk është “interes publik”. Ky është interes për personin, jo për faktin. Ky person, po ashtu, kërkoi shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe ajo kërkesë u rrëzua si antikushtetuese. Dhe kur një njeri që duhet të ruajë standardin e të drejtave të njeriut e ul standardin publikisht, atëherë problemi nuk është thjesht një çështje penale. Është një problem i demokracisë. Pra, një individ që ka tituj akademikë juridike dhe formim në institucione të njohura, por që, në vlerësimin tim, shfaq publikisht mospërfillje për parimin e gjësë së gjykuar dhe për prezumimin e pafajësisë, sot mban postin që duhet të mbrojë të drejtat e njerëzve”, tha Beqaj.
Sipas ish-ministrit “ironia më e hidhur” e këtij vendi është se posti i mbrojtjes së qytetarit përdoret si podium politik, ndërsa qytetari mbetet pa mjetet minimale për t’u mbrojtur në gjykatë. Po ashtu, tha se mezi pret që ta ketë përballë në gjykatë.
“Jo për spektakël, por sepse aty, përballë fakteve dhe ligjit, retorika bie dhe mbetet vetëm e vërteta. Për mua që vij nga politika nuk përben asnjë çudi që Grupi Parlamentar i PS-së të votojë për një post të lartë kushtetues një kundërshtar politik dhe një person që ka kallëzuar penalisht projekte dhe kontrata të qeverisë së PS-së. Historia politike e Shqipërisë nga 1912-a deri më sot ka parë edhe më shumë. Historia botërore nga Roma e lashtë e deri më sot ka parë shumë më shumë. Ajo që më habiti nuk ishte vota. Ishte puthja. Jo puthja e zakonshme njerëzore. Puthja me dorë nga larg. Deputetë që kanë 4 muaj në Parlament dhe deputetë që kanë aty 20 vjet. Të gjithë njësoj u ndezën nga puthja. Pasuan duartrokitje ngazëlluese, të sinkronizuara, me intensitet sikur cili ligj i rëndësishëm të ishte miratuar. Ose ndoshta këta 18 muaj paskam humbur unë sensin e realitetit”, tha Beqaj i cili më pas u ndërpre nga gjykata për të mos vijuar më tej për shkak se deklarimet nuk kishin lidhje me procesin.
Më tej, Beqaj kërkoi më shumë kohë për të dëgjuar audiot e seancave dhe krijim kushtesh për t’i dëgjuar në burg. Për këtë kërkoi një kompjuter pa pajisjen e transmetimit dhe komunikimit.
“Ajo që ndalohet është pajisja e transmetimit dhe komunikimit. Kompjuteri është pajisje për ruajtje dhe përpunim të dhënash. Këtë e kam mësuar para 40 vjetësh, kur kam nisur studimet për informatikë. Edhe printeri, po ashtu, nuk rezulton i ndaluar. Atëherë le ta themi thjesht: nëse ligji nuk e ndalon, askush nuk ka të drejtë ta ndalojë me “zakon”, me “urdhër gojor” apo me frikëra administrative. Prandaj kërkova të më mundësohet kompjuteri dhe printeri për përgatitjen e mbrojtjes, pa pajisje komunikimi/transmetimi, me çdo kontroll të arsyeshëm që gjykata dhe administrata burgjeve e çmojnë të nevojshëm sepse mbrojtja efektive nuk është dekor në Kushtetutë; është themel i drejtësisë”, tha Beqaj.
Ndërkohë seanca e radhës u shty më 15 janar.
