Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur që Kategoria Superiore të fillojë më 24 gusht dhe të mbyllet me 23 maj, në një edicion i cili do të jetë i veçantë pasi sheh të kthehet play-off për mbijetesën.
FSHF ka vendosur që të mos ndryshojë skemën e garës, duke e ruajtur me atë me 10 skuadra pjesëmarrëse. Por ndërkohë, ka shtuar vështirësinë sa i përket mbijetesës në elitën e futbollit shqiptar. Kështu, në skemën e re, skuadra e vendit të 8 do të shkojë në play-out ndaj një ekipi që del nga play-off i Kategorisë së Parë.
“Nga sezoni 2019-2020 nga Kategoria Superiore do të zbresin direkt dy skuadra (vendi i 9 e 10) dhe vendi 8-të do të luajë një play-out me fituesen e play-off të Kategorisë së Parë. Play-offi i Kategorisë së Parë është produkt i vendeve të dyta të Grupeve A dhe B në këtë kategori, të cilat do të luajë një ndeshje finale ndërmjet tyre për të shpallur fituesen që do të luajë me vendin e 8-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e skuadrës që është renditur në vendin e tetë të Kategorisë Superiore”, shpjegohej në vendimin e Ekzekutivit.
Ndërkohë, FSHF hodhi poshtë zyrtarisht kërkesën për rritjen e numrit të të huajve në kampionatin shqiptar, edhe pse ajo bëhej nga pjesa më e madhe e skuadrave të Superiores.