Në territoret tona do të vazhdojnë rrebeshet pothuajse të përditshme të shiut, madje pritet intensifikim e tyre. Reshjet do të jenë tipike pranverore dhe verore, pra të karakterit lokal. Përderisa shumë zona do të përfitojnë sasi të reja të madhe reshjesh të shiut, zona të tjera do të mbeten me pak reshje dhe kjo do të varet nga vendi i krijimit dhe zhvillimt të stuhive lokale.
Intensifikim të stuhive lokale do të kemi veçanërisht në zonat kontinentale të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe nganjëherë edhe në Republikën e Kosovës. Normalisht nuk do të mungojnë intervalet kohore me diell dhe periudhat pa reshje fare.
Edhe një javë me reshje lokale, pothuajse të përditshme, vende-vende, herë pas here intensive. Priten rrebeshe lokale intensive kryesisht orëve të pasdites dhe mbrëmjes, por nganjëherë edhe orëve të natës. Do të ketë shanse të forta për krijimin e disa stuhive të fuqishme lokale që mund të jenë problematike me erëra të fuqishme dhe breshër.
Në aspektin termik, temperaturat do të mbesin rreth vlerave mesatare, pra pritet të ketë rritje të lehta të tyre, por në kohën e rrebesheve dhe vranësirave ato pësojnë ulje. Në përgjithësi temperaturat do të lëvizin nga 20 deri në 25 gradë Celsius, në Tirane pak më ngrohtë.